Të shohësh Barcelonën e këtij sezoni do të thotë të përjetosh sërish emocionet e kohërave më të mira. Këtë edicion, mes vështirësive ekonomike dhe polemikave të shumta, po rilind një Barça e madhe, kjo është e dukshme. Një skuadër që ka në përbërje emra si Cubarsì, Balde, Pedri, Gavi dhe Yamal, vendalinjtë e rinj rreth të cilëve po ndërtohet një projekt afatgjatë.
Ka gjithashtu një treshe sulmuese të jashtëzakonshme. Ajo u formua në verën e vitit 2022, por vetëm dy vite më vonë, me ardhjen e trajnerit gjerman Hans-Dieter Flick, ka shpërthyer përfundimisht: Lamine Yamal në të djathtë, Raphinha në të majtë dhe Robert Lewandowski në qendër. U pa edhe të mërkurën mbrëma: Borussia Dortmundi nuk e pa pothuajse fare topin, humbi 4-0 pa dhënë asnjëherë ndjesinë se mund të ishte në ndeshje.
Është e vështirë të thuhet cili ishte lojtari më i spikatur në Montjuïc. Lewandowski realizoi një dopietë, Raphinha një gol dhe dha dy asiste, Yamal shënoi golin përfundimtar për 4-0, pas shumë lëvizjeve të bukura. Edhe një herë, ishin ata që bënë diferencën për një Barcelonë që në kampionat është +4 pikë ndaj Real Madridit dhe që do të përballet me kampionët aktualë të Europës në finalen e Kupës së Mbretit, pas fitores ndaj Atletico Madridit në gjysmëfinale.
Barcelona është një nga katër skuadrat në Europë, ende në garë për tripletën. Mbi të gjitha, është skuadra me treshen më të mirë sulmuese në Europë, sepse sot, duke i mbledhur golat e tyre, arrijnë kuotën e 82 golave: 40 nga Lewandowski, 28 nga Raphinha dhe 14 nga Yamal. Këto janë shifra shumë të rëndësishme, që nuk kanë të krahasuar në kontinent dhe që deri në fund të sezonit mund të afrohen me ato të MSN-së, domethënë treshes që nga viti 2014 deri më 2017 ishte një nga më të mirat në histori: Messi-Suarez-Neymar.
Për të qenë të qartë, ende nuk jemi aty. Ajo skuadër, në tri sezone fitoi dy kampionate (La Liga), tri Kupa të Mbretit, një Champions League, një Superkupë Europe, një Kupë Bote për Klube dhe një Superkupë të Spanjës. Dhe gjithmonë arriti ta tejkalonte kuotën e 100 golave vetëm me treshen sulmuese. Kishte shifra që ndoshta edhe sot janë të paarritshme, por të shohësh Yamal-Lewandowski-Raphinha do të thotë të admirosh atë që i afrohet më shumë atij sulmi të famshëm. Më poshtë krahasimi:
Golat e MSN (2014-2017)
Sezoni 2014/15 – 122 gola
Lionel Messi: 58 gola
Neymar: 39 gola
Luis Suarez: 25 gola
Sezoni 2015/16 – 131 gola
Luis Suarez: 59 gola
Lionel Messi: 41 gola
Neymar: 31 gola
Sezoni 2016/17 – 110 gola
Lionel Messi: 54 gola
Luis Suarez: 36 gola
Neymar: 20 gola
Golat e treshes aktuale të Barcelonës:
Sezoni 2024/25 (ende në vazhdim) – 82 gola
Robert Lewandowski: 40 gola
Raphinha: 28 gola
Lamine Yamal: 14 gola