Gazetari Ylli Aga, foli në emisionin “Skaner” në MCN TV, për sezonin aktual në Superiore. Sipas tij, nuk ka ndodhur kurrë që klur kampionati është me 10 ekipe, që të kete diferenca kaq të vogla mes ekipeve.
Aga shtoi me tej se vazhdon të mendojë se Vllaznia ka pasur ekipin më të mirë sa i përkety lojtarëve, ndërsa me ironi u shpreh se duket sikur në Shkodër më shumë kishin prioritet të nxirrnin kampion Luizin në “Big Brother”, sesa Vllazninë kampione.
“Realisht meriton një epitet si garë e çmendur. Nga momenti që kemi këtë strukturë të kampionatit, në asnjë rast nuk i kemi pasur skuadrat me të tilla diferencat. Pesë pikë plus, është kuota më e lartë e arritur këtë sezon nga një skuadër kryesuese.
Në 29 ndeshje të luajtura, nuk e kemi pasur kurrë një grupim të tillë skuadrash, sa i përket diferencave të pikësh. Kjo sjell presion te të gjitha ekipet. Mund të ketë edhe surpriza të hidhura.
Më pëlqen futbolli që nuk e gjej. Unë ende vazhdoj ta them se Vllaznia ka qenë ekipi më i mirë, sa i përket lojtarëve. Megjithatë në Shkodër më duket se më shumë kishin prioritet të nxirrnin kampion Luizin në “Big Brother”, sesa Vllazninë kampione. Me diferencat që kanë, Vllaznia do i luajë të gjitha shanset për një vend në Europë”.