Ka pasur shumë reagime pas ceremonisë së Topit të Artë, aty ku mesfushori i Manchester Cityt dhe Spanjës, Rodri Hernandez e mposhti Vinicius Junior për çmimin e këtij viti.Lojtari i fundit që ka folur rreth kësaj çështje ka qenë mbrojtësi i Barcelonës, Inigo Martinez, i cili është bashkëlojtar i Rodrit tek Spanja.

Në një intervistë për Sport, Martinez pati një qasje diplomatike, ani pse e pranoi që ishte shumë i lumtur që e pa Rodrin të shpallej si fitues.

“Në fund, të gjithë kanë mënyrën e tyre të të menduarit. Aty ka 100 gazetarë të cilët votojnë dhe nëse ata votuan për Rodrin është sepse ata besojnë se e meritoi më shumë së Vinicius”.

“Jam i lumtur për Rodrin, e njoh atë dhe e vërteta është se ta shoh atë me Topin e Artë më bëri të lumtur”.

“Shpresoj që ta shoh atë të vazhdojë kështu për shumë vite gjithashtu”, ka thënë Martinez.

Martinez gjithashtu foli për një tjetër fitues nga ceremonia e Topit të Artë: Lamien Yamal. 17-vjeçari fitoi trofeun ‘Kopa’ të hënën.

“Lamine është një lojtar që bën diferencën, një lojtar që rrallë shihet dhe ta kemi këtu është nëj gëzim. Shumë topa shkojnë tek ai, ai gjeneron shumë nervozizëm tek kundërshtari dhe mund ta vëreni këtë”, ka thënë spanjolli.

“Për ne ai është një lojtar shumë i rëndësishëm, ai ka ende një rrugë të gjatë përpara dhe ne shpresojmë se ai do të vazhdojë të përmirësohet dhe ta shohim duke fituar Topin e Artë një ditë”, përfundoi ai./Telegrafi/