Fitorja e arritur me përmbysje ndaj Skocisë, duket se i ka dhënë shumë besim izraelitëve në prag të takimit me Shqipërinë, që do të luhet të dielën në Ber Sheva.

Këtë, e ka konfirmuar sulmuesi i kombëtares izraelite që aktivizohet me Salcburgun, Munas Dabur i cili në takimin e fundit pësoi edhe një dëmtim.

Në një prononcim pas ndeshjes, Dabur është shprehur se fitorja ndaj Skocisë i është dukur si më e bukura në karrierë, ndërkohë që të njëjtën gjë kërkon që të përsërisë edhe ndaj Shqipërisë të dielën.

“Ishte shumë e rëndësishme të fitonim ndaj Skocisë, dhe mua personalisht më është dukur si fitorja e parë në karrierë. Më vjen mirë që arritëm të merrnim rezultat pasi kemi luajtur mirë, kemi bërë futboll të mirë dhe në fund ia dolëm.

Ishte ndeshje ku të gjithë lojtarët kërkonin maksimumin dhe Skocia mjaftohej edhe me një pikë. Në ndeshjen ndaj Shqipërisë unë do të luaj edhe nëse nuk kam njërën këmbë”, u shpreh Dabur./vipsport/