Njihet prej shumë e shumë vitesh si staticieni më i mirë në Shqipëri. I kam shumë për zemër statistikat për të gjitha skuadrat e futbollit, por në veçanti ato të Vllaznisë, skuadrës së tij të zemrës. Për rrjedhojë, ai mban mend mirë si rastet e mira ashtu edhe ato të këqija për këtë skuadër. Përveçse është kundër luajtjes së ndeshjes me drita në “Loro Boriçi” (statistikat tregojnë se Vllaznia nuk ka sukses me to), ai u kujton drejtuesve dhe futbollistëve të Vllaznisë edhe një fakt tjetër që ai ka konstatuar në vitet e tij të shumta pranë futbollit.

“Sa herë që një kundërshtar ka patur nevojë për pikë, më lehtë se i ka gjetur ndaj Vllaznisë nuk i ka gjetur ndaj asnjë skuadër tjetër. Vllaznia është një skuadër që falet para të gjithave”-thotë ai. Njëkohësisht ai mendon se nëse Skënderbeu do shënojë të shtunën në “Loro Boriçi”, njeriu i vetëm që do shënojë për korçarët do jetë Daniel Xhafaj. Për këtë ai thotë: “Kjo është vërtetë e çuditshme por ja që ndodh me Vllazninë.Nëse Skënderbeu shënon gol në Shkodër, autor i tij do jetë Daniel Xhafaj. Ky lojtar në 9 javë kampionat ka shënuar vetëm një gol. Pra është në krizë goli dhe do tentojë të zhbllokohet pikërisht në Shkodër. Prandaj dhe futbollistët dhe stafi kuqeblu duhet të ruhen vetëm prej këtij lojtari sepse prej tij ka për të ardhur rreziku kryesor”-ka thënë komentatori i mirënjohur Ymer Striniqi.