Dinamo ka triumfuar përballë Partizanit në supersfidën e vlefshme për javën e 31-të të Superiores. Derbi i zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të dinamovitëve. Në përfundim të këtij dueli ka folur “Lojtari i Ndeshjes”, autori i golit Baton Zabërgja.

“Normalisht që shokët e ekipit më ndihmojnë shumë, pa ta nuk performoj mirë. Por ndihmojmë të gjithë njëri-tjetrin dhe në fund ja dalim. Grumbullimi me Kosovën? Normalisht që ka ndikuar shumë. Por vetëm të jesh me grupin dhe të stërvitesh me yjet e Kosovës është nder dhe mund të mësosh shumë nga ta.

Normalisht që mungesat dihen, janë të rëndësishme si Maliqit, Bregut dhe Itodos. Por kemi një grup të mirë dhe kushdo që futet jep maksimumin dhe nuk ndihet mungesa e tyre. Trajneri Ilir Daja më ka ndihmuar shumë dhe shpresoj që edhe unë të ndihmoj me gola dhe asiste.

Shpërdoroni ju si repart sulmi? Së pari është e rëndësishme që të dalim në rast goli. Ndonjëherë na mungon përqendrimi dhe ndonjëherë fati. Por të jemi të qetë”, është shprehur Baton Zabërgja.