Gazetari i njohur, Lirim Zalla, është i bindur se Shqipëria do të tregojë dinjitet në fushën e lojës. I ftuar në studion e “Sport News” në “News 24”, ai ka theksuar se kuqezinjtë kanë cilësi të përballojë Anglinë, edhe pse kjo e fundit mbetet favorite. Ai ka shpjeguar se shpreson që Silvinjo të fillojë të prodhojë një lojë më guximtare në vijim.
“Formula është më e vështirë për të marrë pjesë në Botëror. Në Europian është më e lehtë, do të kërkojnë më të vështirën. Unë besoj shumë te Kombëtarja jonë që do të bëjë përpjekjet për fitore, por është komplekse se kërkon fat, përgatitje shumë. Sot është e vështirë, luajmë përballë Anglisë, shpikësit e futbollit, lojtarët që luajnë në rang klubesh më të mirë në botë. Do të jetë ë vështirë.
Respekt ka gjithë bota për futbollin anglez dhe futbollin e Anglisë, kemi qytetari ta pranojmë. Por frikë jo, se luajmë futboll, djemtë luajnë në kampionate dhe ekipe shumë të mëdha në Europë. Mundësia për të treguar nivelin është. Skuadra ka forcë të luajë para Anglisë si dinjitoze, dinjiteti tregon që nuk kemi frike. Duhet të tregojmë dinjitet, lojën tonë, hyzmetin deri në fund, për te qenë jo vetëm krenare, por edhe bindës. Dinjitozë në fushën e lojës, unë e besoj. Nëse ansambli do të grupohet për të treguar lojën e vet, patjetër të japin maksimumin, unë mendoj se do të bëjë dinjitoz. Sigurisht, numrat janë në favor të anglezëve.
Vlera e kartonit? Nuk është gjithçka paraja në futboll, se Anglia vetëm një trofe ka fituar, edhe atë të dyshimtë në 1966. Se kështu i bie Anglia të merrte të gjitha e të tjerët të rrinin në shtëpi. Vërtetë, Bellingam e ka kartonin më të lartë, por nuk do të thotë që të tjerët të mos jene. Lojtarët tanë në ekipe të mëdha luajnë. Anglinë me të vërtetë po e vlerësojmë, Anglia ka peshë të rëndë. Investimet arabe janë të mëdha në futbollin anglez, por nuk kanë fituar asgjë. Në këtë “Uembli” Italia i mori Europianin, me një ekip të konsoliduar Anglia nuk ia doli të merrte finalen vetëm me një Kieza e Donaruma. Anglezët morën paratë, por nuk po marrin të gjitha kupat.
Silvinjo bën një lojë të mbyllur mbrapa, jo të jemi aktiv, luan me shumë për veten e vet se për ekipin, duhet guxuar ndonjëherë në futboll.
Krahët janë shumë të rëndësishëm, për të ndërtuar e mbrojtur, besoj qe te Mitaj për nivelin teknik, kishim një mundësi më shumë sepse duhet organizuar e ndërtuar, por edhe mbrojtur, nga shpejtësia që ka. Balliu me të vërtet ka humbur vendin por unë besoj te eksperienca e tija, ka luajtur në një kampionat ku është ndeshur disa herë me Realin, Barçën, sulmuesit më të mirë në botë. Eksperiencën e vë në punë të marrë pozicionim për të shfrytëzuar aftësitë. Në krahun e djathtë, Balliu ka për të bërë më mirë se majtas, se Aliji nuk ka vrullin e tij më të mirë, formën më të mirë. Po luan në një kampionat si i Shqipërisë që është relativisht me i dobët. Besoj te Balliu që me eksperiencën që ka, mundësitë e aftësitë që zotëron, të bëjë më mirë krahun e djathtë.
Sulmi? Shpejtësia e Uzunit dhe përpjekja, forca, këmbëngulja dhe presingu që bën Manaj, por këto i ka të dyja bashkë Broja. Edhe i shpejte, edhe i fortë, edhe goditës e golashënues. Po të ishte për mua, Broja duhet të ishte që në fillim, se është në kampionatin anglez, se me shumë nga ata është rritur në kuptimin e përballjes. Më dinjitoze do ishte, të luajë në fillim, po ta hiqte në fund të pjesës së parë.
Nuk e besoj kurrë që kemi frikë, përkundrazi, ne kemi një lloj përllogaritje për forcën e lojtarëve që marrin pjesë në grupin e Anglisë, kemi përllogaritjen tonë, që është e para e Tuhel. Do kërkoje me shumë forcë të fitojë me Shqipërinë e Letoninë, se po nuk fitoi me këta, me kë do fitojë që të jetë në vëmendje. Ne duhet të marrim pikët tona, ato janë të hënën këtu me Andorrën. Me Anglinë do luftojmë të bëjmë maksimumin, ndërsa pikët tona janë këtu. Edhe ata i bëjnë llogaritë që pikët tona janë këtu.
Po ndikoi një humbje me Anglinë, nëse trajneri e vuan këtë para Andorrës, më bëhet zemra mal, se nuk mund të bëjmë përllogaritje si të luajë në “Uembli”, por Andorra ka 50 mijë banore. Nëse nuk mundim Andorrën, nuk e di se çfarë… Anglia edhe nëse na lodh, do na bëjë gola, por ne po nuk mundëm Andorrën, çfarë janë këto ëndrra kualifikimi?”, tha ndër të tjera Zalla në “Sport News”.