Zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti ka thënë se Nerazzurrët do të ‘respektojnë’ Feyenoordin, por këmbëngul se ata ‘nuk mund të zgjedhin’ mes Serie A dhe Ligës së Kampionëve.
Interi është rënë në short me skuadrën holandeze Feyenoord në fazën e 1/8-tës në Ligën e Kampionëve dhe në rast fitoreje do të ndeshen me fituesin e takimit Bayern Munich-Bayer Leverkusen.
“Le të themi se udhëtimi ynë deri më tani ka qenë i shkëlqyeshëm: tani fillon një garë me eliminim direkt”, ka thënë fillimisht Zanetti për Sky Sport Italia pas shortit.
“Feyenoord meriton respekt për atë që ka arritur. Ne do të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet dhe i kemi të gjitha kushtet për të besuar se mund të ecim përpara. Kjo varet shumë nga ne”.
Feyenoordi mundi rivalët e qytetit të Interit, Milanin, në fazën ‘play-off’ të Ligës së Kampionëve dhe Nerazurrët mbeten i vetmi klub i Serie A ende i përfshirë në garë këtë sezon.
“Ne gjithmonë kemi përgjegjësi të rëndësishme; ne jemi Interi, një ekip i rëndësishëm dhe kjo garë është shumë prestigjioze. Ne do të përpiqemi ta mbajmë flamurin italian sa më lart”.
Kampionët në fuqi të Serie A mbeten në garë edhe për Scudetton. Ata janë vetëm dy pikë poshtë liderit të Serie A Napolit, por ata do të vizitojnë skuadrën e Antonio Contes vetëm pak ditë para ndeshjes së parë kundër Feyenoord.
“Ne nuk e kemi luksin të zgjedhim. Duhet të synojmë të shkojmë deri në fund në të dyja garat”.
“Të gjithë duan të fitojnë ligën dhe ne e dimë se çfarë do të thotë ta fitosh atë. Por më pas është Liga e Kampionëve, ne jemi skuadra e fundit italiane që e kemi fituar atë dhe do të përpiqemi gjithmonë ta nderojmë dhe të arrijmë në finale, ashtu si dy vjet më parë. Të konkurrosh në të dyja është e vështirë, por mendësia jonë është të shkojmë deri në fund. Nuk mund të zgjedhim”, përfundoi nënkryetari i Interit. /Telegrafi/