Nën “dirigjencën” e Abilaliajt, Partizani ka mbyllur dje në drekë përgatitjet për ndeshjen e sotme kundër Vllaznisë, e vlefshme për javën e 28-të të Superiores.
Kjo sfidë do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” duke nisur nga ora 16:30. Para kësaj ndeshjeje trajnerit Abilaliaj i lind detyra për të punuar në ringritjen e skuadrës në aspektin psikologjik.
Sa i përket aspektit fizik, i vetmi i dëmtuar është Altin Bytyçi, i cili po vijon rikuperimin e një tërheqjeje muskulore të gradës së parë. Përveç mbrojtësit, në këtë betejë do të mungojë edhe Mehmeti, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e fundit kundër Elbasanit.
Pjesa tjetër e skuadrës janë gati. Sa i përket formacionit, Abilaliaj pritet t’i besojë atyre lojtarëve që kanë luajtur në ndeshjet e fundit, me ndonjë ndryshim minimal. Mbrojtja pritet të jetë e njëjta, me tre qendra dhe dy anësorë më të përparuar.
Në mesfushë në vend të Mehmetit pritet të luajë Kote, i cili gjithsesi ka një balotazh me Ismailin për atë pozicion. Në sulm pritet Bintsuka, Keko dhe Taipi.