Takimi i rradhës për ekipin shkodran është ai që do të zhvillojë pasditen e nesërme në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj ekipit të Luftëtarit. Një sfidë shumë e vështirë. Të dy ekipet kanë nga 9 pikë aktualisht në renditje dhe në rast fitoreje, Vllaznia do t’i linte njëherë e mirë pas gjirokastritët. Por për të fituar, patjetër që duhet shënuar gol në portën kundërshtare dhe po ashtu, do tentohet që porta e saj të mbahet e paprekur. Por dilema është se cilët futbollistë do të hedhë në fushë trajneri Gjoka për këtë sfidë? Nga sa duket, nuk do të ketë asnjë ndryshim në krahasim me sfidën e kaluar me Lushnjën.

Kështu, në portë do të luajë Selimaj ndërsa në mbrojtje do të jetë katërshja e përbërë nga Gocaj në të djathtë, Gurishta e Orelesi në qendër dhe Marku në të majtë. Në mesfushë, Tafili dhe Hasani do të luajnë në qendër ndërsa Lika e Çinari në të dy krahët. Sakaq, në rolin e mesfushorit të avancuar, do të jetë Vucaj ndërsa në majë të sulmit Atsina. Ky i fundit dhe Çinari kanë punuar shumë dy ditët e fundit para porte në mënyrë që të korigjojnë gabimet e bëra në takimin me Lushnjën ku arritën të humbasin disa raste të pastra secili prej tyre dhe shpresohet që ata por edhe futbollistë të tjerë, të jenë rezultativ në rastet që do t’i krijohen para portës së Luftëtarit.

© shkodrasport.com