Pas barazimit në Kupë me Partizanin, Vllaznia do të kërkojë të marrë fitore në kampionat me Kastriotin. Kjo ndeshje do të luhet ditën e sotme në orën 17:45 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe kuqeblutë duken shumë të vendosur për t’u rikthyer te fitorja.

Pavarësisht kritikave të shumta dhe defekteve të shfaqura, shkodranët do kërkojnë fitoren e kthesës ndaj krutanëve. Në fakt, sot Vllaznia luan një ndeshje të rëndësishme ndaj skuadrës së Kastriotit, teksa fitorja për të dyja skuadrat do të ishte një hap i rëndësishëm në objektivat e tyre.

Ekipi i drejtuar nga Elvis Plori do të përpiqet që të shfrytëzojë faktorin fushë, ndërkohë që ekipi krutan synon që të marrë tre pikët, pasi ka edhe shumë javë kampionat dhe renditja mund të përmbyset në disfavor të tyre.

Për ndeshjen ndaj Kastriotit, Vllaznia pritet të mos ketë të gatshëm dy futbollistët e saj. Pikërisht, kapitenin Erdenis Gurishta, i dëmtuar dhe mesfushorin Elvedin Heriç, për kartonë. Megjithatë, në këtë ndeshje, skema e shkodranëve pritet të jetë e njëjtë me atë të ndeshjes së fundit me Partizanin, 4-2-3-1.

Vllaznia pritet që të luajë me këtë skemë, teksa Plori do të bëjë këto zgjedhje. Në portë do të luajë Zogoviç, ndërsa në mbrojtje do të jetë katërshja e përbërë nga Kruja në të djathtë, Adili dhe Diagne në qendër dhe Hakaj në të majtë.

Në mesfushë, Jonuzi dhe Krymi do të luajnë në qendër ndërsa Hoxhaj dhe Latifi në të dy krahët. Da Silva do të luajë disi më i avancuar në mbështetje të sulmuesit të vetëm Aralica.

Siguria e Jonuzit dhe Krymit në mesfushë dhe prezenca e Hoxhajt, Da Silvës, Latifit dhe Aralicës në sulm, bën që Vllaznia të jetë konkurruese sot ndaj Kastriotit në “Loro Boriçi”. Edhe stoli është i kompletuar me alternativa.

Ndeshja ndaj Kastriotit do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, duke filluar prej orës 17:45 dhe Vllaznia do të kërkojë me çdo kusht të fitojë. /Maringlen ZHIVANI/

Vllaznia (4-2-3-1)

Zogoviç

Kruja Adili Diagne Hakaj

Jonuzi Krymi

Hoxhaj Da Silva Latifi

Aralica

Tr: Elvis Plori