Ekipet e Superiores nuk kanë shumë kohë për të humbur, teksa menjëherë duhet të zbresin në fushën e lojës për të zhvilluar mes tyre ndeshjet e javës së 16-të. Duele mjaft interesante dhe të luftuara do të luhet, teksa kjo javë do të zhvillohet në mesjavë, të mërkurën dhe të enjten.
Gjithçka do të nisë me duelin mes Elbasanit dhe Bylisit, përballje kjo që do të luhet ditën e mërkurë në orën 16:30 në “Elbasan Arena”. Skuadra e Roberto Bordin synon rikthimin te fitorja, e cila iu mungon prej disa javës, ndërsa ballshiotët tentojnë vazhdimësinë.
Paralelisht me sfidën në Elbasan do të luhet edhe në Durrës. Në “Niko Dovana” do të përplasin “brirëët” mes tyre Teuta dhe Laçi. Vendasit nuk kanë rrugë tjetër veçse fitores në shtëpi, ndërsa kurbinasit synojnë një tjetër 3 pikësh për t’iu larguar fundit të klasifikimit.
Po ditën e mërkurë do të luhet edhe sfida mes Vllaznisë dhe Dinamos. Një duel i luftuar mes 2 ekipeve që ndodhen në “top-4” të Superiores. Kjo sfidë do të zhvillohet në orën 19:30 në “Loro Boriçi”. Vetëm 1 pikë janë “Blutë” pas kuqebluve dhe dueli mes tyre është direkt për vendin e 3-të, ku skuadrat shpresojnë te ndalesa e Partizanit e Egnatias për të kapur vendin e 2-të ose të 3-të.
Pikërisht Partizani dhe Egnatia do të përballen mes tyre ditën e enjte në “Arenën e Demave”. Takim që starton ën orën 17:00 dhe që vë përballë dy ekipet që tentojnë kreun e renditjes. Kryeqytetasit vijnë si kryesues i Superiores me 28 pikë, ndërsa kampionët i ndjekin nga pas me 2 pikë më pak.
Paralelisht do të luhet edhe në Korçë. Skënderbeu do të presë Tiranën për të bërë mes tyre llogaritë e kësaj jave. Te vendasit synojnë rikthimin te rezultatet pozitive pas largimit të Ivan Gvozdenovic, teksa në stolin e tyre ulet Ernest Gjoka. Ky i fundit tenton fitoren në debutim, teksa nga krahu tjetër pas barazimit në derbi Gugash Magani nuk ka rrugë tjetër veçse 3 pikëve./newsport/