Vllaznia e futbollit të femrave nuk ka në rradhët e saj vetëm Megi Doçin, golashënuesen më të mirë në botë për vitin 2018.

Ajo çfarë “Shkodra Sport” ka “zbuluar” është edhe prania në rradhët e këtij ekipi e një tjetër sportisteje që ka shkruar emrin e saj në Europë dhe Botë. Bëhet fjalë për mbrojtësen malazeze Aleksandra Popoviç.

Por ajo që të bën përshtypje është se nuk bëhet fjalë për futboll por për artin marcial Ju Jitsu. 20 vjeçarja e ka sport shumë të preferuar atë dhe përpos futbollit, i kushton shumë vëmendje dhe arritjet më të mëdha i ka pikërisht aty.

Viti 2018 ka qenë i shkëlqyer për Popoviç në këtë sport. Në qershor u shpall kampione Europe në garat e zhvilluara në Poloni, më pas në shtator u zhvillua në Greqi Kampionati Ballkani dhe zuri vendin e parë ndërsa në muajin nëntor u zhvillua në Suedi Kampionati Botëror dhe Popoviç u rendit e dyta.

Njëkohësisht është edhe futbolliste e kombëtares malazeze të futbollit dhe si e tillë, drejtuesit e Vllaznisë e kanë ofruar në janar duke e bërë pjesë të tyre.

Diçka e veçantë në fakt sepse kampionet e Shqipërisë kanë tashmë në rradhët e tyre një Kampione Europe dhe nënkampione Bote dhe kjo është Aleksandra (Anja) Popoviç.
© shkodrasport.com