Ndoshta edhe ata që nuk e kishin çuar kurrë në mend rënien e Skënderbeut nga elita, tashmë kanë filluar ta shohin si një ngjarje reale për të marrë masat e duhura.

Edhe pse plagët e dhimbjes ende nuk janë mbyllur dhe rënia një kategori më poshtë nuk është zyrtarizuar matematikisht e rëndësishme është se çfarë do të bëhet me skuadrën në vazhdimësi.Në kushte të tilla, bardhekuqtë e Skënderbeut duket se kanë bërë llogari për gjithçka.

Burime të konfirmuara në klubin korçar i treguan dje gazetës “Panorama Sport” se drejtuesit janë të përgatitur për çdo skenar të mundshëm.Edhe nëse korçarët bien nga kategoria, plani i klubit duket se është i ndërtuar.

Në kushte të tilla, gjithnjë duke iu referuar burimeve në klub, presidenti Ardjan Takaj është i vendosur se do të mbajë në ekip të gjithë lojtarët që kanë një kontratë afatgjatë me Skënderbeun.

Një lëvizje kjo për të pasur të sigurt boshtin e ekipit, që do të punojë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë me synimin për të rikthyer Skënderbeun në elitë.

Pak a shumë duket sikur klubi ka ide të qarta edhe për skenarin më të keq, por do të tentohet deri në fund të shpëtojnë nga ajo që do të ishte për Skënderbeun mbyllja më e keqe e një cikli të suksesshëm.

LARGIMET

Duket se të parët që kanë vendosur të largohen në fund të sezonit do të jenë dy të huazuarit e Skënderbeut nga Shkëndija e Tetovës.Si portieri Bekim Rexhepi, ashtu edhe mbrojtësi Leard Sadriu, do të jenë të parët që e mbyllin bashkëpunimin me korçarët.

Me shumë mundësi të dy lojtarët do të rikthehen te Shkëndija ose mund të huazohen në një tjetër skuadër.Për të qëndruar te mbrojtja, edhe Dajan Shehi e Vangjel Zguro do të largohen me shumë mundësi.

Kapiteni pritet të fluturojë drejt Amerikës në qershor, ndërsa edhe Shehit i përfundon kontrata. Edhe mesi i fushës duket se do të ketë largime, po ashtu si sulmi. Mara dhe Mensah pritet që të ikin.

Për të dy lojtarët që kanë kontratë me Skënderbeun, drejtuesit duket se do të kërkojnë të arkëtojnë diçka për të shtuar financat.Nga ana tjetër, Moraesh dhe Berisha, që janë në fund kontrate, pritet të mbyllin me parametër zero aventurën në Korçë.

Këto janë planet në dalje, ndërsa për ato në hyrje është herët për të folur, pasi edhe strategjia për merkato e klubit do të ndryshojë, duke qenë se militon një kategori më poshtë.