Vllaznia e ka fituar miqësoren e sotme ndaj Besëlidhjes por duhet thënë se nuk ka bindur shumë me lojën e saj. Një gjë e tillë ka qenë ndoshta e pritshme ngaqë lojtarët kanë vetëm 10 ditë stërvitje dhe për më tepër, kanë marrë ngarkesa të mëdha stërvitore gjatë këtyre ditëve.
Megjithatë 90 minutat e kësaj miqësoreje “zbuluan” dhe problemet e vërteta të kuqebluve: Mungesën e disa lojtarëve cilësore ende në rradhët e saj.
Këtë gjë më shumë se kushdo tjetër duket se e ka të qartë edhe trajneri Mirsad Jonuz i cili në prononcimin e tij për mediat pas ndeshjes, ka vënë edhe piketat e merkatos së ardhshme të Vllaznisë.
“Kam folur me drejtorin teknik dhe me administratorin dhe presim që në ditët në vazhdim të na bashkohen edhe lojtarë të tjerë. Do vijë një mesfushor qendre, një play- maker, dy sulmues dhe një portier tjetër pasi siç e keni parë, në stërvitje kemi vetëm dy portierë”.
Pra piketat janë hedhur. Përveç pesë blerjeve të deritanishme, kuqeblutë kanë ndër mend të bëjnë edhe pesë përforcime të tjera. Emra për momentin nuk ka megjithatë, mbetet për t’u parë se cilët do të jenë këto lojtarë.
© shkodrasport.com