Gjatë ditës së sotme në të gjitha mediat ka qarkulluar lajmi se sulmuesi Victor Matheus da Silva Matos mund të largohet nga
Vllaznia sepse nuk ka përmbushur pritshmëritë e stafit teknik.
Këto zëra u shtuan edhe ngaqë në miqësoren e fundit, atë të së shtunës ndaj Pogradecit, braziliani nuk ka luajtur për asnjë minutë dhe për rrjedhojë kjo la të kuptohej se gjërat nuk po shkonin ashtu si duhet për të.
Por në fakt, e vërteta mësohet se nuk është kjo. Victor da Silva ka munguar ndaj Pogradecit si pasojë e një shqetësimi që ka ndjerë në stërvitje dhe për rrjedhojë stafi teknik ka vendosur të mos rrezikojë duke mos e aktivizuar.
E njëjta gja ka ndodhur edhe me moldavin, i cili edhe ai nuk ka luajtur asnjë minutë ndaj Pogradecit. Burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se për asnjë moment nuk është vënë në diskutim qëndrimi apo jo i sulmuesit brazilian Victor da Silva. Besimi tek ai është i madhe dhe të gjithë shpresojnë që ai të justifikojë besimin e drejtuesve që e bënë pjesë të Vllaznisë këtë sezon.