Në pankinën e ekipit Vllaznia U-19 për sezonin e ri futbollistik do të jetë një emër i njohur. Bëhet fjalë për Luan Zmijanin. Ai do të prezantohet paraditen e nesërme nga drejtuesit e klubit dhe ato të Akademisë. Bashkë me të do të punojë tek ky ekip edhe trajneri tjetër Gjon Kola që do të kryejë rolin e ndihmësit të tij.
Pas shumë dilemash, drejtuesit duket se kanë bërë goditjen e duhur. Kalimi i Elvin Beqirit në krye të një ekipi tjetër, la vendin bosh tek ekipi U-19 dhe nga dita e nesërme do të nisë punën me të Luan Zmijani. Ky i fundit nuk është i panjohur për këtë ekip. Në sezonin 2013-2014 ai ka dalë kampion me këtë ekip ndërkohë që një sezon më vonë, mori edhe drejtimin e ekipit të parë të Vllaznisë. Pas dhënies së dorëheqjes në javët e para të sezonit 2015-2016, ai u rikthye sërish të punojë tek Akademia Vllaznia ku iu besua drejtimi i ekipit U-13 ndërsa nga nesër do të drejtojë 19 vjeçarët që i gjen sërish kampionë në fuqi të vendit.
© shkodrasport.com