Cristian Panucci nuk do të ketë në dispozicion tre lojtarë për miqësoren me Uellsin në “Elbasan Arena”. Pak më tepër se 24 orë përpara sfidës kanë lënë grumbullimin e skuadrës për arsye dëmtimesh mbrojtësit Binaku e Gjimshiti, si dhe Emanuele Ndoj. Për këtë arsye italiani duhet të bazohet në një organikë më të reduktuar, rrjedhimisht me më pak alternativa.
Gjithsesi, fakti që në dispozicion rikthehen Hysaj e Basha ia lehtëson disi punën në përzgjedhjen e formacionit Panuccit. Trajneri ka vendosur që seancën e fundit stërvitore ta zhvillojë në kompleksin “Tropikal”, duke mos udhëtuar drejt Elbasanit, sikurse ndodh zakonisht një ditë para takimit. Sa i përket formacionit titullar, është e vështirë ta parashikosh, aq më tepër që Panucci ka treguar me zgjedhjet e tij se mbetet befasues.
Gjithsesi nga të dhënat që ka Supersport, Panucci mendohet se do të bëjë disa ndryshime nga ndeshja në “Loro Borici”, ku këtë herë mes dy shtyllave për çështje rotacioni siç ka ndodhur gjithmonë, do të vendoset Strakosha, meqenëse ndaj Skocisë luajti Berisha, ndërkohë që Hysaj pritet të rikthehet në krahun e djathtë. Veseli do të luajë në qendër si lojtari me më tepër paraqitje me fanellën kuqezi nga ata që janë në grumbullim dhe përkrah tij mund të jetë Ismajli, që debutoi të shtunën e kaluar, kurse në krahun e majtë alternativa që do të përdoret do të jetë Dermaku.
Sa i përket mesfushës, Basha i rikthyer do të luajë përkrah Memushajt dhe Kaçes, kurse në sulm do ta nisë si titullar Bekim Balaj, i mbështetur si zakonisht nga Uzuni dhe logjikisht Grezda, që mund të mungojë vetëm për ndonjë arsye fizike dhe nëse gjakovari nuk ja del atëherë në vend të tij mund të aktivizohet Gavazaj.
Formacioni i mundshëm: Strakosha; Hysaj, Veseli, Ismalji, Dermaku; Kaçe, Basha, Memushaj; Uzuni, Grezda; Balaj