Viktor Da Silva kërkoi mirëkuptim nga Alban Xhaferi për largimin nga Vllaznia, por sponsori i klubit shkodran dje në një bisedë për “Panorama Sport”, i kujtoi brazilianit kushtet e kontratës.

Pas deklaratës ekskluzive për gazetën nga fantazisti në numrin e djeshëm, ka ardhur edhe reagimi i Xhaferit, i cili i është referuar marrëveshjes që ka bërë me lojtarin në verën e vitit të kaluar.

“Da Silva është lojtar i Vllaznisë derisa t’i mbarojë kontrata. Çdo futbollist i Vllaznisë, përfshi edhe Da Silvën, nëse dëshiron të largohet, i ka kushtet e përcaktuara në kontratë, përfshi edhe vlerën e kartonit”, ka sqaruar sponsori i klubit pasi u pyet për brazilianin.

Por sa është vlera e kartonit që ka vendosur klubi i Vllaznisë për Viktor da Silvën?

Edhe pse Alban Xhaferi nuk përmendi shifra në deklaratën për brazilianin, “Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta në klub se në kontratën 2-vjeçare të firmosur nga Da Silva është përcaktuar një dëmshpërblim prej 120 mijë eurosh.

Pra, çdo klub i interesuar për blerjen e kartonit të Da Silvës, duhet të derdhë në arkën e Vllaznisë këtë shumë për transferimin e lojtarit.