Virgil van Dijk ka shënuar golin e barazimit 2-2 kundër Gjermanisë në minutën e 91-të të ndeshjes së luajtur mbrëmjen e së hënës në Nations League, duke i dhuruar kombëtares së tij kalimin në gjysmëfinalet e kompeticionit. Tani është zbuluar edhe lëvizja taktike që e bëri të mundur realizimin e këtij goli.
Skuadra e Ronald Koeman është dominuar për 80 minuta nga gjermanët para se të reagonte në fund, por shënimet e dorës të publikuara nga “Daily Mail” tregojnë se nuk ka qenë fat dhe as rastësi që Van Dijk doli në sulm në fundin e takimit.
Shënimet, në fakt, tregojnë qëllimin për ta zhvendosur Van Dijk në krah të sulmuesit të PSV Eindhoven, Luuk de Jong, në minutat e fundit të ndeshjes. Duket se është një skemë 3-2-3-2, me Quincy Promes, Memphis Depay dhe Kevin Tete, që duhet të mbështesnin dyshen sulmuese.
“Mora një letër nga (ndihmës trajneri) Dwight Lodeweges”, ka thënë Koeman pas ndeshjes. “Por nuk e dija se çfarë ishte shkruar aty. Është bukur që Virgil ka shënuar golin e barazimit në fund. Sa herë e ka bërë Gjermania këtë gjë në vitet e fundit? Tani duket se mund ta bëjmë edhe ne”.
Koemann ka shtuar: “Natyrisht, me Dwight dhe Kees van Wonderen kemi menduar për zgjidhje të ndryshme para ndeshjes dhe se mund të na duhej të bënim diçka ndryshe në minutat e fundit. Por unë nuk doja ta bëja kur po humbnim 2-0, sepse më pas mund të bëhet 4 ose 5-0. Unë doja ta përdorja atë skemë kur rezultati të ishte 2-1”, ka shpjeguar Koeman./telesport/