Real Madridi akuzohet vazhdimisht në Spanjë se ka lidhje të nivelit të lartë dhe i përdor ato në avantazhin e tyre, edhe pse kjo nuk është provuar kurrë në gjykatë.

Akuzat janë intensifikuar me Florentino Perez në rolin e presidentit dhe së fundmi kanë dalë në dritë disa informacione që kanë ndezur një skandal të ri mediatik mbi këtë temë.

Mediat spanjolle kanë bërë një investigim duke zbuluar dokumentet ku i përfshirë ishte Raul de Tomas. Bëhet fjalë për një episod të ndodhur në vitin 2017, me lojtarin që në atë kohë ishte pjesë e Real Madrid Castilla (aktualisht në Rayo Vallecano).

Ai rezultoi pozitiv për ostarinë, një substancë që rrit masën muskulore. Dënimi pritej të zgjaste për 4 vite, por me ndërhyrjen e Real Madrid u reduktua në vetëm një muaj. Substanca është e ndaluar nga WADA (Agjencia Botërore Anti-Doping) dhe klasifikohet si “jo specifike”, që do të thotë se nuk mund të gëlltitet aksidentalisht.

Por CELAD, organi antidoping në Spanjë, pranoi, pa prova konkrete, se lënda ka hyrë aksidentalisht në trupin e sulmuesit 30-vjeçar, duke e pezulluar për një muaj dhe duke i dhënë gjobën minimale prej 3000 euro./newsport/