Ish-trajneri i Tiranës, Ze Maria ka qënë i pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH ku ka komentuar derbin, por dhe të ardhmen e tij në rolin e trajnerit.
I pranishëm në derbi, një surprizë që ka sjellë dhe aludimet e para. Gjithsesi, braziliani është racional, duke theksuar se është në bisedime me disa klube në Europë, nuk përjashtohet dhe Superliga.
“Derbi? Tirana krijoi pak më shumë në minutat e para e më pas u tërhoq. Partizani nuk arriti ta shfrytëzonte, duhet të lëvizte pak më shpejt. Të kuqtë nuk duhet të krijojnë alibi. Duhet të punojnë për të mos përsëritur gabimet.
Nëse do të vazhdohet të kërkohen justifikime, do të ketë gjithmonë vështirësi. Ata nuk lozën mirë, i lanë shumë hapësira Tiranës. Mendoj se një ndeshje derbi karikohet vetvetiu. Trajnerit i duhet të ulë këtë karikim, që lojtarët të arsyetojnë si profesionistë”.
“Jam ndjerë shumë mirë në Shqipëri, Tirana më pëlqen shumë, nuk i dihet kurrë. Ndoshta mund të ketë një rikthim. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, jam duke diskutuar me disa klube në Europë, ndoshta dhe në Shqipëri”.
“Unë, trajner i Partizanit? Nuk shikoj ndonjë problem. Edhe Shehi ka luajtur me Partizanin e tani drejton Tiranën”.