Tirana do të përballet në ndeshjen e nesërme ndaj Vllaznisë, në një ndeshje të vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Por kjo ndeshje i kalon kufijtë e një ndeshje normale kupe, teksa shohim historinë e dy ekipeve në përballjet mes tyre, apo edhe nëse shohim faktin se Tirana u rrëzua nga kategoria për herë të parë në histori, falë Vllaznisë. Këtë gjë e di më së miri edhe tekniku i Tiranës, Ze Maria, i cili është shprehur në konferencën për shtyp se ka punuar shumë për këtë ndeshje.
Në një prononcim për mediat, i pyetur nëse Ze Maria e sheh si një derbi ndeshjen e nesërme dhe sesa i ndërgjegjshëm është trajneri mbi rëndësinë e këtij takimi, tekniku i Tiranës u përgjigj: “Ndaj Vllaznisë është një derbi prej historisë së dy skuadrave që kanë me njëra-tjetrën, pasi këto dy ekipe kanë një historikë të pasur mes tyre. Ajo që kam kuptuar unë është se ndeshja e vitit të kaluar është ende një plagë e hapur për Tiranën. Gjithsesi ndeshja e nesërme është një histori tjetër, skuadra ka një trajneri të ri, ka lojtarë të rinj dhe një mentalitet tjetër, prandaj nesër në fushë do të zbresim për të marrë më të mirën. Nesër janë 90 minuta për tu luajtur, një akt tjetër na pret por e dimë se për tifozët kjo do të përjetohet si një derbi. Kundërshtarin e kemi studiuar dhe e kemi respektuar pasi ndodhet në një kategori sipër nesh, por nesër do të hyjmë në fushë për më të mirën”.
© shkodrasport.com