Titullin kampion të këtij viti e ka dashur shumë. Sigurisht që në rradhë të parë për Vllazninë dhe Shkodrën por këtë herë edhe për veten. Zef Gjoni tashmë është 18 herë kampion I Shqipërisë me këtë ekip. Si pakkush dhe ndoshta askush trajner tjetër në vendin tonë. Tashmë që ia ka arritur sigurisht që ndjehet shumë më I lehtësuar dhe në intervistën e tij për gazetën online www.shkodrasport.com pranon të rrëfejë shumë gjëra: -z. Gjoni, më I lehtësuar tashmë pasi u shpallët kampion?
-Sigurisht që jam më I lehtësuar. Të them të drejtën e kam patur me siklet këtë kampionat. Parashikonim një rivalitet më të madh këtë herë pasi edhe Tirana e Dardania kërkonin titullin kampion. Vllaznia sigurisht që I kishte marrë masat, është përgatitur për më tepër se dy muaj në Velipojë dhe Ramëm dhe kjo përgatitje patjetër që do t’I jepte frutet e veta, megjithatë ne kishim dëshirë t’I ruheshim ndonjë të papritur të pakëndshme.
-Në fakt, ato ndodhën që ditën e parë të këtij kampionati. E prisnit humbjen e Bilalit dhe Vjerdhës?
-Shorti I ditës së parë ishte ai që dëshironim në fakt. Duke e menduar Tiranën si rivalen tonë kryesore, ndeshjet direkte të Bilalit dhe Vjerdhës me sportistët e këtij ekipi, do të thoshte se titulli kampion merrte fund që në ditën e parë. Por ndodhi ajo që nuk e prisnim. Bilali humbi dhe kjo na I vështirësoi disi gjërat. Në fakt nuk ka qenë një humbje e vërtetë. Gjykimi I ndeshjes ka qenë ai që ia dha fitoren kundërshtarit të tij. Dhe a e dini më të bukurën. Ka qenë një gjyqtar shkodran që ia ka humbur ndeshjen Bilalit. Kjo vërteton më së miri faktin që Vllaznia nuk është marrë fare me gjyqtarët. Mirë që ia humbën ndeshjen Bilalit por ajo e Vjerdhës ishte një vjedhje e hapur. Pavarësisht këtyre dy humbjeve në ditën e  parë, kjo pati edhe një të mirë se I mobilizoi së tepërmi boksierët e tjerë për të bërë më të mirën në ndeshjet e mbetura dhe ata ia dolën me sukses.
-Po nga ndeshjet e tjera të boksierëve të Vllaznisë, cila ju ka bërë më shumë përshtypje?
-Të gjithë kanë zhvilluar ndeshje shumë të bukura dhe I kanë dominuar ato plotësisht ndaj kundërshtarëve të tyre. Që nga Rexhildo Zeneli, Ronildo Piranej, një e ardhme e sigurtë e boksit shqiptar sepse ende nuk I ka mbushur të 18-tat, pastaj Fatjon Arapi, Kristian Shytani që e meritoi plotësisht titullin e boksierit më të mirë të kampionatit, të mirënjohurit Kristian Dema dhe Nelson Hysa por edhe 18 vjeçari Emanuel Kaçaj që bëri një paraqitje shumë të mirë. Këta boksierë kanë fituar ndaj kundërshtarëve të tyre në rradhë të parë falë formës më të mirë fizike. Grumbullimi që kemi bërë para kampionatit falë mbështetjes së dy presidentëve tanë, Flamur Hoxha dhe Gjergj Livadhi I dha frutet e veta.
-Në fakt, në katër ditët e zhvillimit të kampionatit nuk ka munguar as ndonjë kontestim I trajnerëve të ekipeve të tjera. Mendoni se kanë patur të drejtë?
-Aspak. Vllaznia nxorri 6 kampionë dhe fare mirë, nëse gjyqtaria nuk do gabonte në vlerësimet ndaj Bilalit dhe Vjerdhës, do  kishim 8 kampionë. Çfarë do kishin thënë këta trajnerë nëse do kishte ndodhur kështu? Ata që duhet të ankohemi jemi ne. Gjyqtaria I ka parë kasetat e të dy këtyre ndeshjeve dhe na ka dhënë të drejtë në pretendimet tona por kampionati bëhej në Shkodër dhe sigurisht që nuk donim t’ia prishnim bukurinë prandaj I pranuam ato vendime. 
-18 tituj shumë për një trajner. Ndjeheni I plotësuar apo do kërkoni edhe më shumë?
-Absolutisht që nuk ndjehem I plotësuar. Përkundrazi tani fillon një fazë ku dëshiron të fitosh edhe më shumë. Aq më tepër kur ke në ekip boksierë të talentuar dhe mbi të gjitha të rinj. Vetëm Nelsoni (Hysa) është disi më në moshë, 27 vjeç, ndërsa gjithë të tjerët janë nga 16-21 vjeç. Nuk ke si tërhiqesh kur sheh këta të rinj që stërviten plot pasion dhe kërkojnë suksese të njëpasnjëshme. Nuk ke si tërhiqesh kur çdo ditë në palestrën tonë vijnë djem të rinj që duan të fillojnë sportin e boksit sepse e shohin çfarë suksesesh po arrihen. Kjo më bën të lumtur dhe më shton ambicjen për të bërë gjëra të mira edhe në të ardhmen.
-Kur e keni filluar këtë vit në fillimin e viteve ’90, e kishit menduar se do kishit kaq suksese?
-Të them të drejtën jo  por e kemi filluar mirë dhe e kemi mbajtur mirë. Kur të hyn në gjak kjo punë, sigurisht që nuk ke dëshirë të heqësh dorë kollaj nga sukseset. Ajo që më bën të lumtur më shumë mua është se  Shkodra është bërë shkollë boksi. Çdo ditë fëmijë të ndryshëm sapo lënë shkollën, vrapojnë tek palestra e boksit për të parë këta kampionët aktualë dhe duan t’u ngjajnë atyre. Por Vllaznia dhe boksi shkodran kanë me se të krenohen në fakt. Artur Gavoçi, Besnik Limani, Besnik Gjetja, Jetmir Kuçi, Sokol Buliqi etj, janë emra legjendë të këtij sporti.
-Duket se kjo shifra 18 e titujve personal, ju ka ngacmuar disi. Pse?
-Vërtetë më ka ngacmuar sepse besoj se nuk ka në asnjë lloj sporti në Shqipëri që një trajner të ketë fituar me një ekip 18 tituj kampion aq sa kam fituar unë. Një gazetar sportiv ma kishte thënë këtë para kampionatit dhe prandaj desha ta thuej këtë rekord dhe natyrisht që jam Iumtur për arritjen e tij.
-Në Shqipëri keni arritur gjithçka. Si trajner I ekipit kombëtar shqiptar, çfarë ju ka mbetur për të arritur në arenën ndërkombëtare?
-Kemi qenë shpeshherë afër medaljeve në aktivitetet e rëndësishme por për mungesë fati apo dhe kushtesh në përgatitje nuk ia kemi dalë. Duhet t’ia arrijmë tani e tutje. Vitin e ardhshëm janë Lojërat Mesdhetare dhe nëse kemi një mbështetje të mirë nga shteti, ju siguroj se boksi shqiptar do marrë medalje në këtë aktivitet të rëndësishëm.
Gjergj KOLA

-“Batuta”: Jam konkurrent vetëm me kryeministrin aktual
Në rrëfimin e tij për gazetën tonë, trajneri I Vllaznisë Zef Gjoni natyrisht që nuk mund t’I linte mënjanë edhe batutat e humorit. Pikërisht duke folur për rekordin që ka thyer prej 18 titujsh kampion të fituar, ai ka bërë një krahasim shumë interesant teksa ka thënë: “Jam konkurrent me kryeministrin shqiptar. Ai ka marrë shtetin në vitin 1992, në të njëjtën kohë kur edhe ne kemi fituar titullin e parë kampion. Kryeministri aktual me shumë mundësi do fitojë edhe zgjedhjet e vitit të ardhshëm dhe nga 13 vite që ka deri tani pushtetin, plus 4 të tjera, mund të bëjë 17 dhe sërish nuk më arrin. Vetëm atë kam frikë se më arrin me trofe, të tjerë nuk ka megjithatë po bëj çmos që as kryeministri të mos I ketë sukseset e mia”.

-Përkushtimi për boksin, Gjoni “harron” edhe familjen
Mund të jetë një rast vërtetë I rrallë. Trajneri I boksit të Vllaznisë Zef Gjoni, gjatë përgatitjeve për kampionatin e fundit, ka “harruar” edhe familjen e tij. Fillimisht 15 ditë stërvitje dhe grumbullim në Velipojë dhe ai në çdo moment pranë ekipit. Më pas tre javë të tjera në pikën turistike të Razmës dhe sërish larg familjes. Por edhe një fakt tjetër shumë interesant. Një javë para nisjes së kampionatit, ekipi I Vllaznisë u grumbullua në hotel “Argenti” në hyrje të qytetit të Shkodrës. Ndonëse shtëpia e Gjonit ishte vetëm 3 kilometra larg, ai preferonte të flinte në hotel për të qenë pranë boksierëve të tij. Në rradhë të parë për të dhënë shembullin personal. Nuk ndodh shpesh kështu me një 65 vjeçar tjetër në fakt. Por para boksit, Zefi nuk vë ndoshta asgjë, duke lënë shpesh mënjanë edhe familjen. Ky sport është pasioni I madh I jetës së tij.