Viti 2013 do të jetë një vit I ngjeshur me aktivitete të rëndësishme për boksierët tanë. Turnetë e ndryshëm dhe garat zyrtare janë shumë të ngjeshura dhe thuajse çdo muaj do ketë nga një aktivitet të rëndësishëm ku ata do marrin pjesë. Trajneri I ekipit të Vllaznisë Zef Gjoni që është njëkohësisht edhe trajneri I ekipit kombëtar, për  gazetën “Shkodra Sport” është shprehur se pret një paraqitje të mirë të këtyre boksierëve, në mënyrë që ata ta nderojnë boksin shkodran dhe atë shqiptar në të gjithë ringjet ku do t’i përfaqësojnë ato. Për këtë vit, aktiviteti I parë është për boksierin Kristian Demaj që javën e ardhshme zhvillon një ndeshje profesionistësh në Poloni. Në lidhje me këtë gjë, trajneri Gjoni do të shprehej: “Them se ky është një lajm I mirë për boksin tonë. Pjesmarrja e Kristian Demës në këtë ndeshje profesionistësh mendoj se është një tregues I mirë I nivelit gjithnjë e në rritje të boksierëve tanë dhe të shpresojmë që ai të paraqitet mirë në mënyrë që t’u hapë rrugë edhe boksierëve tjetër në profesionizëm”. Aktivitetet boksierët e Vllaznisë por edhe ata të ekipit kombëtar do të vazhdojnë në shkurt kur do jetë një aktivitet shumë I fortë katërditor në Bullgari ku Shqipëria do të përfaqësohet me 4-5 boksierët më të mirë. Në mars është një tjetër turne I rëndësishëm në Gjermani ndërsa në prill do jetë rradha e Memorialit Ndërkombëtar të Shkodrës, aktivitet ky që do zhvillohet në datat 5 deri më 8 prill dhe në të pritet të jenë të pranishëm sërish mbi 10 shtete nga e mbarë bota. Në maj ndërkohë bëhet e ditur se do zhvillohet Kampionati Europian për boksin amator dhe në qershor aktivitetet do kulmojnë me Lojërat Mesdhetare ku do pretendohet për medalje nga boksierët tanë. Të gjithë këto aktivitete do zhvillohen vetëm në gjashtëmujorin e parë, pa përmendur pastaj të tjerët në gjysmën tjetër të vitit. Trajneri Zef Gjoni ka shprehur besimin e tij se paraqitjet e boksierëve shkodranë por edhe të pjestarëve të tjerë të kombëtares shqiptare do jenë shumë të mira. “Janë aktivitete të gjitha të rëndësishme në të cilat do marrim pjesë dhe premtojmë edhe medalje në to. Boksierët po përgatiten me shumë seriozitet dhe unë besoj tek aftësitë e tyre. Në Lojërat e Mesdheut në muajin qershor do të tentojmë marrjen e medaljeve. Ky do ishte një sukses për boksin tonë megjithatë do të tentojnë që edhe në aktivitete e tjera të bëjmë më të mirët për t’I dhuruar Shqipërisë medalje. Boksi shqiptar jam I bindur se ka për ta thënë fjalën e tij ”- ka thënë trajneri Gjoni. Ai sigurisht që kërkon pak më tepër vëmendje nga Federata apo dhe Bashkia e biznesmenë të ndryshëm sepse boksierët e kanë të nevojshëm ndoshta një grumbullim njëjavor që tani në pikën turistike të Razmës. Megjithatë e rëndësishme është që sporti I boksit do të vazhdojë të jetë sport elite sërish në Shkodër sepse paraqitjet e sportistëve janë vërtetë të mira si në arenën kombëtare ashtu edhe atë ndërkombëtare.
Gjergj KOLA