Afrimi i Memorialit “Vllaznia 2012” sigurisht që ka shtuar emocionet tek organizatorët sepse edicioni i sivjetëm i tij, pritet të jetë më i madhi që është zhvilluar ndonjëherë. Më së shumti, këto emocione shihet tek trajneri i mirënjohur Zef Gjoni që është njëkohësisht edhe inisiatori kryesor i zhvillimit të këtij aktiteti shumë të rëndësishëm. Por nëse ai ka emocione për ndeshjet që do luhen, gjatë këtyre ditëve ka kaluar jo pak stres edhe sa i takon organizimit dhe kryesisht sigurimit të anës financiare. Në një prononcim të tij të sotëm për gazetën online shkodrasport.com, do të shprehej: “Çdo gjë sa i takon stërvitjes dhe bërjes gati të sportistëve është në rregull. Por vazhdojmë të kemi këto problemet e organizimit sepse ana financiare e mbulimit të këtij aktiviteti na ka lodhur jo pak. Bashkia Shkodër edhe njëherë tjetër në la në baltë sërish duke akorduar vetëm një fond të vogël ndërkohë që vetëm falë shokëve dhe miqve, shkodranëve që jetojnë në Tiranë apo qytete të tjera, kemi arritur të sigurojmë diçka dhe në këtë mënyrë turneu do bahet”. Meqë ana financiare thuajse është e mbuluar, organizatorët e këtij turneu kanë vendosur që hyrja e tifozëve në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të jetë falas në të tre ditët e zhvillimit të Memorialit. Sipas trajnerit Gjoni, këtë herë është pjesmarrja më e madhe që ka patur ndonjë vit ky aktivitet. “Janë 12-13 shtete që kanë konfirmuar pjesmarrjen dhe madje kemi patur edhe kërkesa të tjera por i kemi kthyer prapa sepse nuk kemi mundësi të presim më tepër boksierë ngaqë tre ditë aktivitet është. Kjo është pjesmarrja më e madhe që është bërë ndonjëherë në një aktivitet boksi në Shqipëri dhe besoj se gjithçka ka për të shkuar mbarë. Kam shumë shpresë se edhe pallati i sportit do jetë i mbushur ngaqë do jenë ndeshje të vërteta boksi, do ketë luftë sportive dhe tifozët këtë duan”-ka thënë Gjoni. Memoriali “Vllaznia 2012” për sportdashësit që nuk do kenë mundësi ta ndjekin këtë aktivitet nga shkallët e pallatit të sportit, do ta shohin atë përmes ekranit të televizionit Rozafa që do ta transmetojë në të tre ditët e tij drejtëpërsëdrejti këtë aktivitet.

www.shkodrasport.com