Të premten kombëtarja e Shqipërisë në boks për 22 vjeçarët do të niset drejt Rumanisë.

Vend ku nga e diela do të nisë Kampionati Europian i 22 vjeçarëve. Në përbërje të ekipit tonë përfaqësues do të jenë tre sportistë dhe pikërisht Krenar Zeneli që konkurron në peshën 56 kg, Arjon Kajoshi në 75 kg dhe Albert Kapaj në 91 kg.

Bashkë me to do të jenë edhe trajnerët Zef Gjoni e Jozef Sermi.

Ekipi ka kohë që përgatitet për këtë eveniment të rëndësishëm dhe shpresat janë të mëdha që sivjet njëri nga boksierët tanë të futet në zonën e medaljeve.

Kjo do të ishte diçka historike për këtë sport sepse me këtë grupmoshë asnjëherë më parë nuk ka arritur të futet në zonën e medaljeve.

Duke folur për gazetën “Shkodra Sport” para nisjes për në Rumani, trajneri Zef Gjoni do të shprehej:

“Po e presim me shumë dëshirë pjesmarrjen në këtë Europian. Kemi kohë që përgatitemi dhe besoj se ka ardhur momenti për të shpresuar tek diçka e madhe.

Një vit më parë Zeneli u rendit i pesti dhe Kajoshi i shtati. Sivjet janë një vit më të mëdhenj në moshë, kanë më shumë përvojë, janë stërvitur më mirë dhe besoj se do të jenë më afër zonës së medaljeve.

Unë besoj tek këta dy sportistë por edhe tek Kapaj. Falenderoj edhe Federatën për vëmendjen më të madhe që i ka kushtuar kombëtares kësaj here.

Të shpresojmë se gjithë kjo punë e bërë do të na shpërblehet me medalje, çka do të ishte historike për boksin shqiptar”.
© shkodrasport.com