5 medaljet e fituara nga boksierët tanë në dy aktivitetet e rëndësishme ndërkombëtare të zhvilluara sëfundi në Maqedoni dhe Kosovë, e kanë bërë të ndjehet mirë. Zef Gjoni, trajneri I Vllaznisë dhe I ekipit tonë kombëtar ndjehet njëkohësisht I lumtur për këtë sukses, sepse nxjerr në pah punën e mirë që është bërë. Duke folur për gazetën “Shkodra Sport”, ai do të bënte edhe diferencën e madhe që ka në organizim boksi shqiptar me vende të tjera dhe pavarësisht kësaj, përpjekjet bëhen për të qenë të barabartë në ring. Madje Gjoni premton edhe medalje në Lojërat e Mesdheut të vitit të ardhshëm. Ja intervista e plotë e trajnerit të kombëtares shqiptare për gazetën tonë:
-z. Gjoni, më në fund po “merrni pak frymë”, pas tre aktiviteteve të zhvilluara në 10 ditë. Jeni I kënaqur me mënyrën si shkuan gjërat ?
-Të them të drejtën ka qenë një periudhë e ngarkuar me aktivitete të rëndësishme. Në 10 ditë kemi zhvilluar tre aktivitete shumë të forta. E filluam me “Gongun e Artë” në Maqedoni, një turne I rëndësishëm I cili ka 50 vite që zhvillohet dhe njihet në Europë, vazhduam me Kupën e Shqipërisë që u zhvillua në Vlorë dhe menjëherë u nisëm për në Kosovë ku morëm pjesë në kupën “Adem Jashari”. Duke iu referuar aktiviteteve ndërkombëtare, kemi sjellë në Shqipëri 5 medalje të arta, 3 në Maqedoni dhe 2 në Kosovë dhe besoj se ky është një sadisfaksion edhe për mua si trajner por më tepër, është frut I punës së bërë nga këta sportistë. E quaj sukses sepse kemi patur përballë kundërshtarë të fortë nga shumë vende të Europës dhe sidomos nga Bullgaria, kombëtarja e së cilës ishte mjaft e fortë dhe e përgatitur. Objektivat tona tashmë janë vetëm marrja e medaljeve ndërkombëtare sepse titujt në Shqipëri nuk përbëjnë më ndonjë sadisfaksion të veçantë dhe janë bërë rutinë për ne.
-Në kupën “Adem Jashari” në Kosovë dy medalje të arta. Ishin mundësitë edhe për ndonjë më tepër?
Unë mendoj se tek boksierët tanë, tek Shytani, Bilali e Demaj, ka ndikuar edhe lodhja. Për ta vërtetuar këtë mjafton t’u them se Bilali në Shkup tek “Gongu I Artë” u ndesh në finale me këtë boksierin nga Bullgaria që humbi në Prizren. Nëse atje fitoi, këtu humbi sepse ishte më I lodhur ngaqë mori pjesë edhe në Kupën e Shqipërisë ku pati ndeshje shumë të forta, pastaj edhe udhëtimet e gjata kanë ndikuar në këtë mes. Për Hysën, ndoshta nuk kisha shumë besim tek sukesi në “Adem Jashari” por ia arriti ta fitonte pastër sfidën me boksierin bullgar ngaqë nuk kishte marrë pjesë në aktivitetin e Maqedonisë dhe ishte më I çlodhur.
-Në Prizren ndërkohë ka qenë prezent edhe presidenti I AIBA-s z. ëu. Një arritje kjo për boksin kosovar?
Prania e presidentit të Federatës Botërore të Boksit (AIBA), z. ëu në Kosovë ishte një arritje e madhe për boksin e këtij vendi. Në fakt kur më kanë thënë përpara se do të vinte edhe ai, nuk e kam besuar. Unë kam marrë pjesë në shumë aktivitet europiane por asnjëherë nuk e kam parë këtë president të ishte present, por vetëm në një rast, në një Kampionat Botëror që u pat zhvilluar në Azerbajxhan ai ishte aty. Fakti që erdhi në Kosovë, tregon për vlerësimin që ai I ka bërë këtij vendi
-Një vlerësim për dy boksierët që morën medalje të arta në këtë kupë….
Zeneli është ndër sportistët më të talentuar të Shqipërisë, ende nuk I ka mbushur 17 vjeç dhe unë e vlerësoj shumë atë. Jo më kot, për ta patur pranë dhe për t’u stërvitur më mirë, ai ka qëndruar për shumë muaj duke u stërvitur në Shkodër dhe këtë gjë do ta bëjë edhe nga janari deri në qershorin e ardhshëm kur do të përgatitet për Lojërat e Mesdheut. Sa I takon Hysës, vlerat e këtij boksieri tashmë dihen. Në fakt ai ka patur një problem sepse në disa periudha nuk I ka kushtuar shumë rëndësi boksit duke mos u stërvitur ashtu siç duhet, por sivjet ka qenë krejt ndryshe. I ka zhvilluar të tre fazat përgatitore të plota me ekipin dhe ja ku është sot, kampion Shqipërie, fitues I Kupës së Shqipërisë dhe I medaljeve në arenën ndërkombëtare. Unë besoj se nëse vazhdon në këtë mënyrë, Hysa do të na dhurojë sërish medalje të rëndësishme ashtu siç na ka dhuruar kur ka qenë 19 vjeç dhe ka triumfuar në Europë.
-Keni vlerësuar shumë kombëtaren bullgare për paraqitjen në “Gongun e Artë” dhe në “Adem Jashari”. Kaq të mëdha janë diferencat me të?
Kombëtarja bullgare kishte filluar që tani përgatitjet për kampionatin botëror të vitit 2014. Boksierët janë gjithë kohën të grumbulluar, marrin pjesë në aktivitete të rëndësishme për të testuar veten, ishin të shoqëruar nga katër trajnerë, nga dy mjekë dhe këto duken kushte luksi për ne. Megjithatë, arrijmë të konkurrojmë me to madje të gjithë na vlerësojnë dhe na thonë se jeni më të mirët në Rajon. Por jemi shumë larg mënyrës si punohet tek kombëtarja bullgare apo ndonjë tjetër. Pastaj kur vjen momenti në aktivitete, shumëkush ndoshta pyet dhe thotë pse humbi ky apo ai boksier, pa u interesuar në kushtet ku stërvitet. Ne shkojmë në aktivitete ndërkombëtare për të sfiduar këta bullgarë apo boksierë të vendeve të tjera, pa asnjë grumbullim. Thjesht lëmë vendin e takimit, I hedhim naftë makinës, “bukën me vete” dhe nisemi.
-Së fundi, ky vit gradualisht po mbyllet. Cili do jetë objektivi më I rëndësishëm për boksin shqiptar në vitin 2013?
Objektivat sigurisht që janë Lojërat e Mesdheut. Para tyre, natyrisht që do të përqendrohemi tek Memoriali ndërkombëtar që do të zhvillohet në muajin prill në Shkodër dhe ku mendojmë të organizojmë diçka madhështore. Sa për Lojërat e Mesdheut ju garantoj se pa medalje nuk kthehemi. Për këtë na duhet një mbështetje minimale nga Federata dhe presidenti Leqejza përpara këtij aktiviteti dhe ju siguroj se kemi për t’ia arritur të kthehemi me medalje.
Gjergj KOLA