Tek boksi shqiptar duket se nuk është koha për “paqe”. Pas polemikave në distancë në mes presidentit Gjergj Leqejza dhe trajnerit të kombëtares dhe njëkohësisht të Vllaznisë- Zef Gjoni, u mendua se gjakrat do të uleshin dhe nuk do bëhej më fjalë për mosmarrëveshje. Deklarata e parë e Gjonit se presidenti duhej të jepte dorëheqjen vetë ngaqë prej tre vitesh nuk ka derdhur asnjë lekë në arkën e Federatës, është kaluar me humor nga ana e Leqejzës që ka thënë se “Zefi nuk është arkëtar”. Por sot, ky i fundit ka shkuar edhe më tej në kërkesën e tij duke thënë se janë gati biznesmenë të tjerë që të sponsorizojnë boksin dhe për këtë arsye, ata mund të jenë presidentët e ardhshëm të Federatës. “E kam thënë se nuk kam asgjë me zotin Leqejza por ai ka ardhur në këtë post që mban sot për të sponsorizuar. Ai nuk e ka bërë këtë gjë dhe për këtë arsye, janë të tjerë biznesmenë që e duan atë post. Njëri prej tyre, që unë nuk kam dëshirë t’ia bëj të ditur emrin, është i gatshëm të paguajë trefishin e shumës që zoti Leqejza ka premtuar në fillim për sportin e boksit. Ne të gjithë trajnerët dhe sportistët kuptohet që sytë i kemi tek lekët për të krijuar kushte më të mira për stërvitje, pagesa më të mira dhe ç’ka është më e rëndësishmja, për të krijuar grumbullime të ekipeve kombëtare në mënyrë që ta përfaqësojmë ashtu siç duhet boksin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Nuk i them zotit Leqejza të largohet. Ai nëse merr përsipër të paguajë atë shumë që premton ky biznesmeni tjetër, të rrijë. Veçse me një kusht, të ketë një deklaratë noteriale për këtë gjë sepse ndryshe na ka premtuar edhe në fillim dhe nuk bëri asgjë”. Thuhet se pas Gjonit janë edhe trajnerët e disa ekipeve të tjera të vendit dhe duke pasë shumicën e votave në Asamble, mund të bëjnë rrokadën në postin më të lartë të Federatës.
Gjergj KOLA