Kandidimi i mundshëm i presidentit aktual të boksit shkodran, z.Gjergj Leqejza për postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Boksit, mund të lërë bosh këtë vend tek Vllaznia. Në këtë sport, në ditët e ardhshme pritet zhvillimi i Asamblesë Zgjedhore që do vendosë edhe për presidentin e ri. Presidenti aktual Shpëtim Çilotaj nga masa më e madhe e komunitetit të këtij sporti është votuar përmes peticioni për t’u shkarkuar dhe për këtë arsye, kryesia e kësaj Federate shpejt do thërrasë Asamblenë. Biznesmeni i njohur Leqejza është ftuar prej shumë ekipesh për të qenë ai në këtë post në të ardhmen dhe pritet që të ndodhë kështu. Por nëse ai votohet për postin e presidentit të federatës, vendi i tij tek Vllaznia do mbetej bosh. Megjithatë nuk do ndodhë kështu për shumë kohë. Trajneri i këtij ekipi, i mirënjohurit Zef Gjoni për gazetën online www.shkodrasport.com, ka bërë të ditur se është në bisedime me biznesmenë të ndryshëm për t’u bërë president të Vllaznisë. “Sa të jem unë, boksi shkodran nuk do mbesë pa president. Me largimin e mundshëm të zotit Leqejza, unë kam hyrë në negociata me disa biznesmenë të tjerë. Oferta e parë natyrisht që i është bërë Gjergj Livadhit dhe Flamur Hoxhës, dy njerëzve që kanë kontribuar edhe më parë për këtë sport.Unë jam duke pritur përgjigjen e tyre dhe nëse ata nuk janë dakord për ta marrë përsipër këtë gjë, ka shprehur dëshirën dëshirën për të financuar për boksin e Vllaznisë edhe deputeti i Shkodrës, Tom Doshi. Sigurisht që e kam marrë në konsideratë një afrim të tillë sepse sporti s’duhet të përzihet me politikën. Nëse ai dëshiron të investojë në sport, le ta bëjë. Ku ta marrim që të ketë edhe dashamirës të tjerë si ai për të financuar se do ishim shumë më mirë”-ka thënë Gjoni. Do jenë ditët e ardhshme ata që do na sjellin lajme të tjera nga ky sport që në Shkodër është gjithnjë në elitë.
Gjergj KOLA