-z. Gjoni, tashmë Memoriali është mbyllur me sukses. Ndjeheni I çliruar tashmë nga mënyra si shkuan gjërat?
-Sigurisht që jam shumë I kënaqur me mënyrën si shkuan gjërat. Memoriali ia arriti qëllimit. Vetë ardhja e kampionëve olimpikë, kampionëve të botës dhe atyre të Europës për të marrë pjesë në këtë aktivitet, tregon interesin e madh që ka patur për të. Çdo gjë ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme sa I takon organizimit, e po ashtu jam shumë I kënaqur edhe nga paraqitja e boksierëve tanë. Pretendoja një vend të parë ose dy, ia arritëm të kemi dy medalje të arta me anë të Bilalit dhe Bermetës dhe po ashtu ishim shumë pranë edhe të tretës me anë të Demës. Shumë të mira edhe paraqitjet e Shytanit, Vjerdhës dhe Kalemit. Ky Memorial tregon se niveli I boksit shqiptar po rritet dita-ditës dhe ne mund të konkurrojmë me dinjitet me boksierët më të mirë në botë.
-Keni qënduar pas aktivitetit me përfaqësuesit e ekipeve pjesmarrëse dhe nëse po, cilat kanë qenë përshtypjet e tyre për këtë Memorial?
-Kam qëndruar, kam darkuar me ekipin Italian madje para se të largoheshin dhe mund të themi se përshtypjet e tyre kanë qenë mëse të mirë, për mikëpritjen, për organizmin por edhe nivelin e ndeshjeve. Të gjithë këto ekipe ishin të gatshëm për të ardhur sërish vitin tjetër. Por më shumë sesa ata, duhet të jemi të kënaqur ne. Madje, disa miq po më thonin se po të ishin mundësitë për të ndërtuar një ring tjetër, ky ringu në të cilin u zhvilluan ndeshjet e këtij Memoriali, duhej të kalonte në muze sepse në të kanë hipur kampionë olimpikë, kampionë bote dhe kampionë Europe. Bota I vlerëson shumë këto gjëra, por ne nuk I kemi mundësitë për këto gjëra.
-Megjithatë, mendoni se vitin e ardhshëm meqë është edhe viti jubilar I Memorialit, ai I 10-ti, do të ketë një pjesmarrje edhe më të madhe?
-Ky Memorial nuk ka vuajtur asnjëherë për pjesmarrje madje sivjet mund të kishim patur më shumë ekipe por I kemi kthyer mbrapsht pasi nuk kishim mundësi për t’I pritur. Por, unë po e them publikisht se nuk do mendoj më për Memorialin e vitit të ardhshëm dhe me shumë mundësi ai nuk do bahet. Bashkia, Klubi Vllaznia mund ta bëjnë vetë sepse është viti I zgjedhjeve dhe mund t’I gjejnë fondet, por unë personalisht nuk do merrem më me këtë organizim. Jam shumë I lodhur nga përvoja e sivjetme. Kam kaluar një stres të paparë. Në vend që të bëj punën e trajnerit, më është dashur të merrem me çdo gjë tjetër, që nga sigurimi I autobuzëve, I pritjes, akomodimit e shumë gjëra të tjera. Më është dashur të dal e të lyp paratë për zhvillimin e këtij Memoriali sepse Bashkia me fondin prej 9 milionë lekësh të vjetra që akordoi, nuk e përballonte as gjysmën e shpenzimeve. Por falë miqve dhe dashamirësve, paratë u siguruan dhe aktiviteti u mbyll. Vetëm se më ka parë në tv duke u ankuar për anën financiare, një agjensi autobuzësh me pronar Sami Shoshin na ka vënë në dispozicion autobuzat për pritjen dhe përcjelljen e ekipeve nga aeroporti për në Shkodër e anasjelltas. Deputeti I Shkodrës Tomë Doshi vetëm me një telefonatë më ka sjellë 5 milionë lekë, po ashtu na ka ndihmuar OST-ja, biznesmenët Flamur Hoxha dhe Gjergj Livadhi, pa harruar kontributin e presidentit tonë Gjergj Leqejza. Por nuk vazhdohet kështu, duke lypur lekë për çdo vit. Në fund të fundit, Zef Gjoni nuk e bën për vetë atë aktivitet, e bën për Shkodrën.
-Duket se “dufi” me Bashkinë ende nuk ju ka ikur apo jo?
-Nuk ka si të më ikë. Jo vetëm që nuk e mbështetën ashtu siç duhet financiarisht Memorialin, por drejtuesit e pushtetit lokal të Shkodrës nuk denjuan të vijnë në asnjërën prej tre ditëve të aktivitetit për të ndjekur ndeshjet në pallatin e sportit. Një indiferencë totale dhe e pashpjegueshme a thua se kishim të bënim me një aktivitet shkollash dhe jo një turne ndërkombëtar ku morën pjesë 12-13 shtete. Kjo është e pajustifikueshme. Ashtu siç më bëri përshtypje që anjë përfaqësues I Ministrisë nuk ishte present. Ndoshta ministri ka punët e tij por në këtë insititucion ka edhe z/ministër, ka edhe drejtor sportesh, ka edhe punonjës të tjerë që duhej të ishin present ndonjë ditë në Shkodër. Për të gjitha këto, e thashë që jam mërzitur dhe nuk do merrem më me organizimin e këtij Memoriali. Sivjet e bëra sepse kishte hyrë në kalendarin e veprimtarive zyrtare të Federatës Europiane të boksit amator dhe nëse ai nuk do zhvillohej, jo vetëm që do hiqej nga ky kalendar për vitin tjetër, por edhe do gjobiteshim.
-Tifozët ju kanë befasuar me mbështetjen që ju kanë bërë?
-Tifozi shkodran është I mrekullueshëm. Na ka mbështetur dhe na mbështet fuqimisht. Por ai është “I pafajshëm”. Vjen në pallatin e sportit dhe kërkon fitoren e boksierëve tanë. Pa e ditur se në çfarë kushtet janë stërvitur, çfarë mbështetje kanë patur e gjëra të tjera. Kombëtarja italiane ka qenë e grumbulluar për shembull që në muajin janar ndërsa boksierët tanë… nëpër shtëpitë e tyre. Nëse jam I mërzitur, nuk e kam shumë për vete. E kam më tepër për sportistët e mi që nuk po gjejnë atë mbështetjen e duhur. Megjithatë, me Bilalin dhe Demën, do të bëjmë edhe një sforco të fundit për të tentuar kualifikimin për në Olimpiadë në turneun që zhvillohet më 13 prill në Turqi.
Gjergj KOLA
Zef Gjoni me Shyqyri Halilin para nje ndeshje ne fillimin e
viteve ’90