Trajneri i njohur i Vllaznisë në boks Zef Gjoni është i shqetësuar për mënyrën si po shkojnë punët në klubin shumësportësh Vllaznia. Drejtuesit e Bashkisë sipas tij e kanë lënë krejtësisht pas dore këtë klub ngaqë janë të fokusuar tërësisht tashmë tek futbolli ku po financojnë me shuma të mëdha. Duke folur në lidhje më këtë situatë, ai ka thënë: “Bashkia e ka harruar shumësportëshin shkodran. Ky klub është në gjendje “kome”. Askush nuk e ka mendjen se çfarë bëhet aty.

Në krye të klubit është një njeri i cili ka mbushur moshën e pensionit. Njëherë i thonë do dalësh në pension, njëherë tjetër e kthejnë edhe për disa kohë dhe në kushte të tilla ky shef klubi natyrisht nuk e ka më mendjen tek puna. Unë nuk e di pse veprohet kështu nga drejtuesit e Bashkisë sepse janë shumë sporte e sportistë që bëjnë pjesë në këtë klub. Ndoshta justifikimi është se ende nuk e kanë gjetur personin e duhur për shef klubi. Një ua kemi propozuar. është Oltion Luli, një kampion në sport, pjesmarrës në Olimpiadë. Djalë i mirë dhe i shkolluar. Nuk e di pse vonojnë në emërimin e këtij njeriu sepse besoj se me të në krye të klubit, gjërat do jenë më ndryshe”-ka thënë Gjoni. Propozimi i parë ka dalë tashmë nga vetë anëtarët e klubit dhe kur të propozojnë vetë njerëzit e sportit, natyrisht është një bonus më shumë. Oltion Luli e ka shfaqur hapur dëshirën e tij për të marrë këtë post sepse beson tek ndryshimet pozitive që mund t’i japë atij. “Topi” tani është në anën e Bashkisë. Të shohim nëse ajo do bëjë zgjedhjen e duhur.