Dy boksierët e Vllaznisë dhe të kombëtares shqiptare, Arjon Kajoshi dhe Krenar Zeneli, do të synojnë fitimin e vendeve të para si në turneun “Adem Jashari” që zhvillohet këtë fundjavë në Prishtinë të Kosovës ashtu edhe në “Gongun e Artë” që do të zhvillohet javën e ardhshme në Shkup të Maqedonisë. Është trajneri i kombëtares tonë Zef Gjoni ai që në një intervistë për “SHKODRA SPORT” shprehet i bindur në suksesin e këtyre dy sportistëve.
“Kombëtarja shqiptare e boksit do të niset nesër (e premte) drejt Kosovës për të marrë pjesë në turneun “Adem Jashari”, turne në të cilin sipas informacioneve që ne kemi, do të marrin pjesë sportistë nga 10 vende të Europës. Shqipëria do të përfaqësohet me 4 sportistë dhe mund të them se me 2 prej tyre, pikërisht me Arjon Kajoshi dhe Krenar Zenelin pretendojmë vende të para. E them këtë pasi e di gjendjen e tyre fizike dhe përgatitjet që kanë bërë kanë qenë shumë të mira. Janë dy elementë me të cilët vendi ynë besoj se do të përfaqësohet edhe në Lojërat Mesdhetare të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, ne nuk do të kthehemi fare në Shqipëri sepse menjëherë do të nisemi drejt Maqedonisë për të marrë pjesë në “Gongun e Artë”, turne që është edhe më i fortë dhe padyshim që edhe në të, do të kërkojmë vende të para”. Kombëtarja shqiptare e boksit do të niset paraditen e së premtes drejt Kosovës dhe nuk do të kthehet në vendin tonë deri në fundin e javës tjetër teksa do të synojë të tjera suksese në garat e fundit ndërkombëtare të këtij viti për boksin shqiptar.
© shkodrasport.com