www.shkodrasport.com
Zef Gjoni merr liçensë trajneri nga Federata Botërore e Boksit
Trajneri i mirënjohur shkodran pak ditë më parë është paisur me liçensë trajneri nga Federata Botërore e Boksit Amator (AIBA). Në këtë mënyrë, ai bëhet kësisoj i vetmi trajner shqiptar që gëzon një liçensë të tillë. Federata Botërore, ua jep këtë liçensë trajnerëve të ndryshëm të vendeve të ndryshme, në bazë të rezultateve të arritura në karrierën e tyre. Dhe kuptohet që CV-ja e Gjonit ka mbërritur në dorë të tyre teksa kanë parë 17 titujt kampion të Shqipërisë, Kupat e shumta të Republikës, medaljet e shumta në arenën ndërkombëtare, trajner i kombëtares prej vitesh, sigurisht që nuk mund t’i thonin “jo” dhënies së liçensës për të. Kuptohet që ky është një vlerësim i madh për këtë trajner që ka meritën e madhe për ecjen përpara të sportit të boksit në vendin tonë. Themi në vendin tonë sepse ai ka dhënë kontributin e tij jo vetëm tek Vllaznia por në tërësi për zhvillimin e këtij sporti. Vlerësimi i bërë nga Federata Botërore, natyrisht që do jetë një nxitje për Zef Gjonin për të vazhduar të bëjë më të mirën për këtë sport, pavarësisht moshës së tij. Fakti që nuk është tërhequr asnjëherë prej boksit prej 21 vitesh, është shumë domethënës. Edhe në çdo deklaratë të tij, Gjoni është shprehur se jeta e tij i është kushtuar këtij sporti dhe prandaj liçenca e ardhur nga AIBA është një nxitje më shumë për të, për të na dhuruar të tjera suksese.