Trajneri i Vllaznisë por njëkohësisht edhe i ekipit kombëtar të boksit- Zef Gjoni ka nisur punën me sportistët e tij në vitin 2012. Një punë që ka nisur shumë e ngjeshur me nga dy seanca stërvitore në ditë. Boksierët i janë përkushtuar maksimalisht nisjes së mirë të këtij viti ngaqë pretendimet janë të mëdha. Ky është viti i Olimpiadës dhe dëshira e madhe e të gjithëve është kualifikimi i një boksieri në Olimpiadën e Londrës. Sigurisht që kjo do jetë shumë e vështirë sepse ndryshe nga shumë sporte të tjera, kualifikimi këtu nuk është me ftesë por duhet merituar në garat e rëndësishme europiane.
Në Botërorin e Azerbajxhanit, boksieri Kristian Demaj bëri një paraqitje shumë të mirë por nuk arriti ta sigurojë këtë gjë. Tashmë ai edhe disa boksierë të tjerë, do ta tentojnë këtë gjë në Kampionatin Europian që do zhvillohet në muajin prill. Trajneri Zef Gjoni, duke folur pikërisht për këtë gjë, do thoshte: “Kemi nisur përgatitjet herët. Janë përzgjedhur boksierët më të mirë, ata që mund të pretendojnë zënien e një vendi që të kualifikon për në Olimpiadë dhe po punojmë me ta. Para prillit, do marrim pjesë në disa aktivitete të tjera për të parë formën e sportistëve dhe nivelin e tyre. Do ishte shumë e bukur që për herë të parë në historinë e tij, sporti i boksit të çojë një sportist në Olimpiadë. Shpresojmë që kjo do realizohet dhe kjo do ishte edhe realizimi i ëndërrës time shumëvjeçare”-ka thënë trajneri Gjoni ekskluzivisht për gazetën online www.shkodrasport.com. Kësisoj tashmë sfida ka nisur. Gongu ka rënë dhe ajo çfarë duhet është që boksierët të hidhen në sulm. Për të fituar “ndeshjen e karrierës”.
www.shkodrasport.com