
Suksesi I sportit të boksit në Memorialin e zhvilluar fundjavën e kaluar në Shkodër, ka zënë edhe pjesën më të madhe të emisionit “Sport Arena” të kësaj jave në televizionin Rozafa. I ftuar në studio ka qenë trajneri I Vllaznisë dhe njëkohësisht I kombëtares shqiptare Zef Gjoni që padyshim ka vlerësuar organizimin e këtij aktiviteti por edhe nivelin e paraqitur nga boksierët tanë. “Treguam edhe njëherë se dimë të presim e të organizojmë aktivitete shumë të rëndësishme. Kuptohet që nuk ishte e lehtë sepse mysafirë ishin shtete me boks të zhvilluar që marrin pjesë në turne të rëndësishëm. Por klubi Vllaznia me ndihmën e Bashkisë Shkodër bënë që gjërat të shkojnë mirë. Jam shumë i kënaqur edhe sa i takon cilësisë së ndeshjeve të zhvilluara. U paraqitëm shumë mirë dhe zënia e dy vendeve të para dhe tre të dyta, kuptohet që është një rezultat i shkëlqyer. Kemi sportistë shumë të mirë por që nuk kanë mbështetje. Federata i ka lënë pas dore. Të shpresojmë që gjërat në të ardhmen kanë për të shkuar më mirë në organizimin e ekipit kombëtar, në mbështetjen që duhet t’i japim pjestarëve të tij sepse në fund të fundit ata nuk përfaqësojnë veten dhe familjet e tyre, por përfaqësojnë Shqipërinë në këto aktivitete”- ka thënë ai.
