Akuzat e ish-nxënësit të tij, sportistit që e ka kaluar nëpër duart e tij, e kanë shqetësuar jo pak atë. Zef Gjoni I është gëzuar titullit të 17-të kampion të vendit në boks por natyrisht dje në mëngjes nuk është ndjerë mirë kur ka lexuar një deklaratë të Sead Bushati, zëvendëtsrajnerit të Tiranës qëdeklaronte se Vllaznia e vodhi titullin kampion. Prandaj dhe ka vendosur t’I përgjigjet. Jo direkt atij por për t’u thënë të gjithë se kush është Vllaznia dhe çfarë ka dhënë ajo për boksin shqiptar gjithë këto vite nën drejtimin e tij. Ja intervista e plotë e Zef Gjonit dhënë për gazetën tonë:
-z. Gjoni, akuza të shumta nga ish-nxënësi juaj Sead Bushati. Duket diçka personale në mes jush?
-Të them të drejtën u shqetësova jo pak nga ato çfarë ishin shkruar në gazetën tuaj ditën e sotme (djeshme). Për më tepër që vinin nga një ish-sportist I imi, nga një ish-nxënës I imi, Sead Bushati. Nuk më shqetësonin shumë ato çfarë ai kishte shkruar sepse më shumë ishin gënjeshtra se të vërteta por më çudit fakti pse del ai për të mbrojtur klubin e Tiranës. Si shkodran, si ish-boksier I Vllaznisë, nuk I takon kurrsesi të veprojë kështu. Personale nuk ka asgjë në këtë mes, sepse nuk kam patur as më të voglin debat me Seadin.
-Janë të vërteta ato çfarë pretendon trajneri I Tiranës?
– Sa për sqarim, Bushati nuk është trajner I Tiranës. Trajner është Skënder Kurti ndërsa ai është zëvendëstrajner. Nuk I takon atij të flasë në emër të këtij klubi. Unë kam patur sot (dje) një kontakt telefonik me trajnerin Kurti dhe ai vetë u çudit nga ato çfarë ndihmësi I tij kishte shkruar në gazetë. Pastaj për ato çfarë janë shkruar, të gjithë që kanë qenë prezent në Durrës në tre ditët e zhvillimit të kampionatit, e kanë parë se kush e meritoi titullin kampion. Vllaznia nuk ka vjedhur asgjë sespe dita e tretë, ajo e finaleve ka qenë një formalitet për ne. Bushati ndalet tek ndeshja në mes Sorrës dhe Hysës. Këtë ndeshje e kanë transmetuar televizionet lokale të Shkodrës dhe të gjithë e panë se fitorja ishte në anën e boksierit të Vllaznisë. Por në fund të fundit, askush nuk e deshi ta fitonte me çdo kusht atë ndeshje. Në fund të fundit unë si trajner nuk isha aspak I interesuar për të sepse mua mbi të gjitha më intereson titulli kampion dhe Vllaznia e kishte siguruar një ditë më parë atë.
– Cilat janë raportet e tjera me drejtuesit dhe sportistët e ekipit të Tiranës?
-Shumë të mira. Madje Seadi duhet të dijë diçka. Ditën e finaleve, gjithë paraditen trajneri Kurti dhe pjestarë të tjerë të kësaj skuadre na janë lutur shumë që ne t’I ndihmonim për të zënë ata vendin e dytë në renditjen ekipore. I kishim në dorë për këtë gjë se mund t’I çonim në vendin e katërt megjithatë luajtëm ndershëm kampionatin dhe gjërat shkuan ashtu siç shkuan. Bushati nuk I di këto gjëra sepse tek Tirana nuk e pyet askush mesa duket.
-Atëherë përse mendoni se ai veproi në këtë mënyrë?
-Para se të fillonte kampionati, një gazetar kosovar na provokonte me shkrime e komente të ndryshme në internet se gjoja “I erdhi fundi Vllaznisë”, “Vllaznia s’ka më ekip”, e komente të tjera. Ne kishim dyshimet se dikush përmes tij, donte të na provokonte. Me shkrimin e sotëm (të djeshmin), e kuptuam se kush ishte njeriu që donte sherrin. Ai është Sead Bushati dhe jo boksierët dhe trajnerët e Vllaznisë. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë. Unë nuk kam patur ndikim tek asnjëri gjyqtar për të vendosur rezultatin e ndeshjeve. Madje kanë qenë pjestarët eekipit të Tiranës që I kanë bërë presion një gjyqtari të ri nga Tirana dhe e detyruan atë të braktiste ndeshjet dhe të ikte. Nuk është aspak mirë të gënjehet në mënyrë të tillë. Titulli kampion në këtë kampionat është vendosur në ndeshjen e ditës së dytë atë mes Sorrës dhe Bilalit. Bilali fitoi pastër dhe vetë drejtuesit e Tiranës na dhanë dorën për suksesin e arritur. Nuk ishte nevoja të kishim ndihmën e gjyqtarëve se po të ishte ashtu, edhe në ndeshjen finale të Vjerdhës mund ta nxirrnim atë kampion në peshën e tij por nuk kemi ndërhyrë tek gjyqtaria.
-Së fundi, Gjoni një mesazh I juaji për Bushatin dhe të tjerët?
-Jam shumë I lumtur që në krye të boksit shkodran kanë arritur suksese që nuk I ka arritur asnjë trajner tjetër në Shqipëri. Kam fituar plot 17 tituj kampion në krye të këtij ekipi aq sa askush tjetër më parë. Këto tituj nuk janë fituar me gjyqtarë a manipulime siç mund të mendojë Sead Bushati të cilin e kam nxjerrë edhe atë kampion. Janë fituar me mund e djersë, me shumë punë në stërvitje. Prandaj dhe kam fituar respektin e te gjithe njerezve te boksit ne Shqiperi por edhe me gjere. Jam prej vitesh trajner I ekipit kombetar te boksit dhe ëndërra ime e madhe është të çoj një boksier në Lojërat Olimpike. I them Seadit se edhe 5 vjet të tjera do jem trajner I kombëtares dhe nëse ka ambicje për t’u bërë dikushi, do ta ketë shumë të vështirë me këto mend që ka. Deri kur të bëhet ai trajner, do të ketë të tjerë që do dalin dhe do ia zënë sërish vendin.
Gjergj KOLA