![](https://www.shkodrasport.com/wp/wp-content/uploads/2012/09/zef%20gjonii-100.jpg)
Të grumbulluar në hotel “Argenti” që nga mesi I javës, boksierët e ekipit të Vllaznisë po merren me përgatitjet e fundit për marrjen pjesë në kampionatin kombëtar që do të startojë ditën e enjte në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Dy presidentët e ekipit, Flamur Hoxha dhe Gjergj Livadhi I kanë plotësuar të gjitha kushtet ekipit si për fazën përgatitore, paisjen me bazë materiale dhe grumbullimin para kampionatit, vetëm e vetëm që ky ekip të arrijë të shpallet sërish kampion I vendit. Trajneri I Vllaznisë, I mirënjohuri Zef Gjoni shprehet I bindur tek suksesi edhe këtë herë, një sukses ky që do ishte I veçantë si për të në aspektin personal ashtu edhe për boksin shkodran. Këtë ai e ka shprehur në intervistën e tij për gazetën online
www.shkodrasport.com kur ka thënë: “Jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme për kampionat. Përgatitjet kanë nisur fillimisht në Velipojë, pastaj në Razëm dhe tashmë jemi të grumbulluar në hotel “Argenti” deri ditën e nisjes së kampionatit. Të gjithë këto por edhe baza materiale që na ka ardhur, janë falë miqve dhe dashamirësve që sportit të boksit nuk i kanë munguar kurrë. Jemi përgatitur për të dalë për 18-tën herë kampion të vendit dhe ky do ishte një sukses edhe për mua personalisht sepse nuk besoj se ka trajner tjetër në Shqipëri që ka fituar kaq tituj kampion”. Trajneri Gjoni është I bindur se në katër ditët e këtij kampionati do ketë shumë ndeshje interesante teksa edhe sportdashësit shkodranë do kenë mundësi të kënaqen me nivelin e tyre por në fund, ai sërish shpreh bindjen e tij të plotë se do triumfojnë boksierët e Vllaznisë. “Rivaliteti këtë herë mendoj se ka për të qenë më i madh se asnjëherë tjetër. Përveç Vllaznisë, pretendojnë titullin kampion edhe Tirana dhe Dardania por nuk duhen lënë jashtë disa ekipe si Apolonia, Teuta e Flamurtari që kanë pretendimet e tyre për të nxjerrë kampionë në pesha të veçanta. Si të thuash, do kemi përballë gjithë boksierët e Shqipërisë por kjo nuk na tremb sepse jemi përgatitur për të fituar”-është shprehur trajneri shkodran.Kampionati I 21-të kombëtar I boksit do zhvillohet në Shkodër për katër ditë me rradhë, nga e enjtja deri të dielën kur do zhvillohen ndeshjet finale. Kampionati starton këtë të enjte në orën 17.00 dhe në shkallët e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” pritet të ketë shumë sportdashës.
www.shkodrasport.com