
Flamurtari-Vllaznia është sfida e radhës, që do të luhet të shtunën, në orën 19:00, në stadiumin e Vlorës. Për vendasit do të jetë një ndeshje për “jetë a vdekje”, megjithatë drejtori sportiv i kuqebluve, Eugent Zeka, në një prononcim për mediat është shprehur qartë se nuk i intereson shumë mënyra si po e përgatit kundërshtari këtë takim. “Shkojmë në Vlorë jo me mendimin e interesave të Flamurtarit, por me interesat e skuadrës dhe klubit tonë. Ne nuk e llogarisim fare objektivin e kundërshtarit, por shohim punën tonë dhe objektivin që kemi në prag të kësaj ndeshjeje. Atmosfera në skuadër duke e mirë, ajo këtë herë është edhe më e plotë në organikë,” – është shprehur ai.Nga ana tjetër, kualifikimi i Skënderbeut për në finale të Kupës së Shqipërisë, ka lënë ende një shteg hapur për Vllazninë, që ajo të kapë Kupat e Europës në fund të këtij sezoni. Zeka e ka të qartë këtë gjë: “Natyrisht, kualifikimi i Skënderbeut për në finale të Kupës rrit edhe më shumë shpresat për një vend në Kupat e Europës, gjithnjë nëse e meritojmë vendin e katërt në përfundim të këtij kampionati. Në luftë për këtë vend besoj se janë disa skuadra dhe kjo e bën edhe më të bukur garën për publikun dhe sportdashësin jo vetëm shkodran, por edhe atë shqiptar”. Kuqeblutë do të nisen sot pasdite drejt Vlorës, ku do të sistemohen në prag të takimit të nesërm ndaj Flamurtarit, që është vlerësuar maksimalisht nga ana e tyre.
© shkodrasport.com