Partizani i këtij sezoni duket se është destinuar të ketë vetëm probleme. Nëse dëmtimet kanë qenë një nga hallet më të mëdha, këtë herë shfaqet edhe një zënkë, që si gjithmonë nuk i bën shumë mirë grupit dhe krijon destabilitet.
“Panorama Sport” mëson se te të kuqtë ka ndodhur një debat mes Dean Liços dhe trajnerit Ilir Daja. Mesfushori erdhi jo me pak bujë te të kuqtë në verë, në formën e huazimit nga ekipi i Askolit, që luan në Serinë B në Itali dhe menjëherë u parashikua se do të ishte një lojtar, që do të merrte përgjegjësi në skuadër.
Por, nuk ndodhi kështu sepse Ilir Daja kishte ide të tjera dhe 21-vjeçari, i cili ka luajtur edhe për Kombëtaren Shpresa në të shkuarën, mbeti në stol në pjesën më të madhe të kohës.
Kanë kaluar muaj dhe trajneri ende nuk është bindur ta aktivizojë, ndoshta i ndikuar edhe nga alternativat e shumta në mesfushë.
Në situatën e ndodhur duket se Liços i ka humbur durimi dhe i është kthyer trajnerit, me këtë të fundit që e ka përjashtuar nga ekipi i parë. I riu nuk është parë të stërvitet me skuadrën në përgatitjet për ndeshjen me Kukësin dhe arsyeja nuk ka qenë ndonjë dëmtim a virozë gripale, por pikërisht kjo zënkë.
Nuk dihet saktësisht arsyeja e debatit, por nëse shikon aktivizimin e lojtarit, ka luajtur një pjesë në miqësoren ndaj Turbinës dhe është aktivizuar në minutën e 91-të në ndeshjen e Kupës ndaj Besëlidhjes, e vetmja zbritje në fushë në sfidat zyrtare. E gjithë kjo na shtyn të mendojmë dhe besojmë se mosaktivizimi ka qenë arsyeja e kësaj zënke.
Liço ka marrëveshje kontraktuale me Partizanin deri në fund të sezonit, kur më pas i duhet të kthehet tek Askoli në Itali. Gjithsesi, situata aspak e rehatshme e krijuar për lojtarin te Partizani mund të sjellë kthimin e tij para kohe në gadishull. Mbetet gjithçka për t’u parë, por ky është opsioni më i favorshëm për të gjitha palët.