Sigurisht që çdo klub e kalon një periudhë tranzicioni dhe ndoshta për gati një dekadë, Ajaksi u vu në hije nga klubi i Barcelonës, në lidhje me “prodhimin” e talenteve të mëdhenj që ofronte kjo akademi historikisht, por në 2-3 vitet e fundit, “Harkëtarët” janë rikthyer në gjurmët e tyre.
Faktin konkret e konfirmoi skuadra madhështore, spektakolare, e ndërtuar me shumë talente të rritur në shtëpi, të cilët bënë bujë dhe bënë të dashurohen jo vetëm holandezët, por edhe të gjithë Europën dhe botën. Grupi i vënë në skenë nga trajneri Erik Ten Hag në dy sezonet e fundit ka qenë thjesht fantastik, pasi vuri në vitrinë jo vetëm futbollistë të rinj me karakter të fortë, por edhe me shumë cilësi, siç janë Matijs De Ligt, Frenki De Jong, Hakim Zijeh, Andre Onana e të tjerë.
Gjithsesi, të jesh pjesë e akademisë së Ajaksit, nuk është e lehtë, pasi për t’u bërë një futbollist i madh duhet të ndjekësh rregullat, por në rastin e “Harkëtarëve” edhe të jesh një student i mirë. Për këtë arsye, kushdo që zgjedh të bëhet pjesë e akademisë së rekordmenëve në Holandë, pse jo që në moshë fillore, apo që nga mosha e gjimnazistëve, duke qenë se në këtë akademi nuk mësohet vetëm futboll, por edhe dije, pikësëpari do të ndjekë dy rregulla kryesore: zero tatuazhe dhe zero pirsing.
Edhe pse në kohët moderne këto dy trende janë tunduese për shumë të rinj, tek Ajaksi kjo është diçka e ndaluar, pasi për të rinjtë aty, tundimi i vetëm që i lejohet është të stërviturit dhe të mësuarit futboll, por edhe siç e theksuam, edhe dije.
Po, sepse në rast se një futbollist, sado i talentuar të jetë, nuk arrin që të marrë bazat minimale dhe të ketë të gjitha notat kaluese, vështirë se i lejohet që të shkelë fushën e lojës, madje, në disa raste, edhe stërvitjet janë disi të vështira për t’u lejuar. Kjo, pasi një futbollist nuk duhet të jetë i aftë vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, sepse karriera e sportistit nuk zgjat përjetë. Dhe një shembull konkret është Zlatan Ibrahimoviç.
Nëse kërkon në fotot e kaluara të suedezit, i cili iu bashkua Ajaksit në vitin 2001, për 9 milionë dollarë (në atë periudhë ishte blerja më e shtrenjtë e historisë së klubit), 20-vjeçari, edhe pse ishte disi më i madh në moshë si disa talente të tjerë të tipit Shnajder e Van Der Vart, pranoi përpara se të firmoste kushtet për zero tatuazhe dhe pirsing,
por ndërkohë u detyrua nga klubi që të riniste me kohë të plotë studimet, pasi ato i kishte ndërprerë në kohën që luante te Malmo, duke i ndjekur me korrespondencë, rregulla që e maturuan jo pak sulmuesin aktual të Los Anxheles Galaksi, ndonëse që nga ajo periudhë ka kaluar jo pak kohë. Dhe ndoshta tundimet e tij ishte i detyruar që t’i vuante vetëm në radhët e Ajaksit, sepse duke parë sot trupin e Ibrahimoviçit, tatuazhet e tij është vështirë që të numërohen…