Opinion nga Gjergj KOLA

Në ndeshjen e parë të tij në krye të Vllaznisë, Shpëtim Duro e ka nisur me humbje. Sigurisht që kjo nuk është diçka e mirë megjithatë ai kërkon të mbahet. Në Shkodër megjithatë nuk do ta ketë të lehtë. Edhe tifozi më I thjeshtë e njeh në detaje këtë lojë dhe për më shumë, ka specialistë të aftë që gjykojnë menjëherë lëvizjet e trajnerit. Për rrjedhojë, edhe lëvizjet e Duros nga pankina ditën e premte janë analizuar me hollësi prej tyre. Për rrjedhojë, kanë ardhur edhe kritikat e para. Kryesisht me zëvendësimet e bëra të cilat nuk sollën asnjë efekt pozitiv.

E ka pranuar edhe vetë trajneri pas ndeshjes këtë gjë, megjithatë nuk e ka shpjeguar mirë atë çfarë ndodhi dhe pse I bëri ato lëvizje. Shumë I çuditshëm për të gjithë është dukur zëvendësimi I malazezit Deliç. Ai që në momentin e golit të parë të korçarëve ku është fajtori kryesor, nuk është dukur më në fushë dhe largimi I tij nga fusha 8 minuta pas fillimit të pjesës së dytë ka qenë mëse normal. Por zëvendësimi duhej të ishte “kokë për kokë”. Nëse u largua një mesfushor qendre, edhe ai që do hynte do ishte I tillë ose më së paku, duhej ta njihte këtë lojë. Por në vend të malazezit hyri Semina. Ai zuri vend në krahun e majtë të mbrojtjes dhe Begaj që kishte luajtur deri në ato momente aty, kaloi në vend të Deliç në qendër të mesfushës. Për 18 minuta vlonjati që nuk ka luajtur asnjëherë në një pozicion të tillë, kuptohet që është orvatur të bëjë diçka por nuk ia doli. Derisa erdhi momenti që ai u largua nga fusha dhe në vend të tij hyri Shtubina. Ky I fundit u vendos në krahun e majtë të mesfushës dhe Hajdari u spostua në qendër. Edhe kjo një lëvizje jo dhe aq e goditur sepse Hajdari nuk ka aftësi organizative. Ndërkohë zëvendësimi I tretë u bë me largimin e Hajdarit dhe aktivizimin e Belishës në qendër të mesfushës. Pra tre zëvendësime të bëra për të shkuar tek ajo që ka patur në mendje trajneri Duro për të rregulluar lojën në pikën më delikate. Zëvendësime paksa të çuditshme sepse Belisha mund të ishte hedhur në fushë që në fillim në vend të Deliç. Jo më kot ai dhe Tafili janë në pankinë si lojtarët e gatshëm për qendrën e mesit të fushës. Vetë trajneri në lidhje me këto zëvendësime është shprehur: “Ndërrimet nuk e bënë efektin e duhur por edhe kjo lidhet me një sërë faktorësh”. Cilët janë këta faktorë? Këtë gjë e di vetë Duro.