Drejtuesit e lartë të klubit Vllaznia paralajmërojnë masa të rënda ndëshkimore për futbollistët, por pse jo paralajmëruese edhe për stafin teknik për situatën e krijuar në skuadër ditët e fundit dhe sidomos me humbjen e djeshme ndaj Partizanit. Ai që ka folur shkurt për gazetën ka qenë zëvendëspresidenti Isuf Isufi që ka thënë:

“Kurrsesi nuk është Vllaznia ajo që duhet të jetë, pikërisht skuadra që pamë në fushë ndaj Partizanit. Një skuadër pa grintë, pa karakter duke mos bërë asgjë të bukur për 90 minuta në fushë. Ne i kemi paralajmëruar disa herë futbollistët të përkushtohen maksimalisht për të nderuar fanellën që kanë veshur por paralajmërimet tona duket se nuk kanë bërë efekt. Ndoshta tashmë ka ardhur momenti për të marrë masa drastike ndaj futbollistëve, masa që nuk janë marrë asnjëherë më parë. Më mirë është të luajmë me ekipin U-19 të Akademisë tonë e të humbasim sesa të shohim në fushë futbollistë që duket se luajnë me zor. Megjithatë nesër (sot) do të kemi një analizë të zgjeruar me të gjithë drejtuesit e klubit dhe më pas edhe me skuadrën dhe më pas do të merrni vesh edhe për masat që do të marrim”. Të paktën nga ato çfarë flitet nga burime pranë klubit, pritet që ndonjë futbollist ta pësojë me ndonjë masë ndëshkimore por nuk përjashtohet mundësia që të ketë një “qortim” edhe për stafin teknik.

© shkodrasport.com