Armand Duka u shpall fitues në garën për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit në zgjedhjet e zhvilluara më 7 shkurt, por tashmë ka një problem.

Gjykata e Tiranës nuk i ka regjistruar zgjedhjet dhe tashmë ka shumë pikëpyetje. Për të bërë regjistrimin duhet që së bashku me vendimet e Asamblesë të dorëzohet edhe lista e anëtarëve që kanë votuar, kjo për të parë nëse janë të regjistruar në Gjykatë ose në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Në këtë mënyrë presidenti Duka ende nuk e ka marrë mandarin zyrtarisht, ashtu sikurse ndodh edhe me anëtarët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv, që u zgjodhën në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore.

Tashmë pritet që FSHF të dorëzojë materialin e plotë dhe më pas Gjykata të marrë një vendim, për pranimin ose jo të zgjedhjeve.

Momentalisht gjithçka është në ajër dhe një problem i hasur që gjatë fushatës ishte ai me shoqatat rajonale që nuk ishin të regjistruara.

Gjithsesi disa prej tyre u regjistruan në Gjykatë para se 7 shkurtit.

Kandidati Bashkim Fino pret të reja nga kjo lëvizje e fundit dhe pas vendimit të Gjykatës ka lëshuar edhe një komunikatë:

“Pasi konstatova dhe denoncova publikisht paligjshmërinë e funksionimit të FSHF, mënyrën se si i manipuluan zgjedhjet, duke futur persona të pautorizuar dhe shoqata të paregjistruara, bashkë me stafin tim, vendosëm të ndjekim rrugën ligjore.

Kisha besim te drejtësia dhe ajo u shpreh sot, duke mos e regjistruar Asamblenë Zgjedhore të datës 7.02.2018.  Përshëndes shpresën që dha sot drejtësia, që çdo manipulim, nuk do ketë sukses para ligjit.

Ky ishte një mesazh për të gjithë viktimat e këtij sistemi, që Armand Duka nuk ka për të pasur më sukses me metoda të paligjshme.

Procesi vazhdon edhe në KAS-in shqiptar dhe sidomos në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Për një futboll të pastër dhe të drejtë!”, shkruan Fino në faqen e tij në “Facebook”. /EDS/