Largimi i Haxhiut, Mihanës dhe Gjatës e dobëson ndjeshëm pjesën ofensive të Apolonisë. Fierakët kanë në sulm vetëm Jeton Krasniqin, Mariel Sotën, teksa kanë rikthyer nga Skënderbeu edhe 17- vjeçarin Redi Kaçanolli.

Duke parë situatën, fierakët janë në kërkim të një sulmuesi me përvojë, që të jetë i aftë të shënojë shumë gola, dhe të ndihmojë në rritjen e lojtarëve të rinj.

U testua për disa ditë amerikani Zeitun Jozef, por nuk ka bindur dhe largimi i tij është çështje orësh. Fierakët janë rikthyer te dëshira e hershme, sulmuesi dibran, Xhuliano Skuka.

23- vjeçari është pjesë e Dinamos, por konkurrenca në sulmin blu është e madhe dhe Skuka pak hapësira mund të ketë. Nisur nga vlerësimi për dibranin, nga dëshira e vetë sulmuesit, si dhe nga marrëdhëniet e mira mes dy klubeve, Skuka mund të luaj në Fier.

Dinamo dhe Apolonia e kanë diskutuar mes tyre këtë opsion, por ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar. Në 3 sezonet e fundit me Korabin, Skuka ka realizuar 37 gola në 66 ndeshje. Pak ditë më parë, Apolonia mori nga Dinamo mbrojtësin Emiljano Hidri dhe Skuka pritet të bëhet dinamoviti i dytë në përbërje të skuadrës fierake.