Situata e mesfushorit shkodran Andreas Ndoji duket se është mjaft e komplikuar për momentin. Në dokumentacionin e federimit të tij si lojtar i Kombëtares së Shqipërisë, shkruhet që ky vendim është përfundimtar dhe i pakthyeshëm, teksa më pas, dokumenti është firmosur nga Ndoji.
Për këtë, babai i tij pretendon se firma është manipuluar nga FSHF. Këta të fundit ia kanë dhënë lejen për të luajtur për Greqinë, por lejen nga FIFA, Ndoji do ta ketë tepër të vështirë ta marrë dhe mund të zgjidhet vetëm me gjyq.
Pak kohë më parë, duke qenë se lojtari i Olimpiakos nuk kishte luajtur asnjëherë për ekipin e parë të Kombëtares së Greqisë, por vetëm për moshat, FSHF njoftoi palën greke se futbollisti i ka të gjitha mundësitë për të luajtur për vendin tonë.
Përpjekjet e bëra ishin të mëdha, madje FSHF e dërgoi çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Në një letër të datës 19-shtator lexohet se, Ndoji është shprehur se e ka ëndërr të veshë fanellën e Shqipërisë.
Kështu, një muaj më pas, CAS ndezi dritën jeshile për futbollistin, i cili tashmë edhe zyrtarisht mund të përfaqësonte vendin e tij. Megjithatë, Ndoji mori një vendim të papritur, duke ndryshuar gjithçka dhe duke veshur përfundimisht fanellën greke.
Në fakt, thuhet se Andreas Ndoji ka qenë shumë i dëshpëruar dhe i penduar për zgjedhjen për të luajtur për Greqinë. Realisht, është e pabesueshme që babai vendos që djali i tij të mos luajë për Shqipërinë, teksa po ai në një deklaratë ka thënë se djali nuk është i lirë të zgjedhë sa të jetë ai gjallë, sepse është ai njëherë, pastaj vjen djali.
Maringlen ZHIVANI