Bëmë 20, le të bëjmë 21. Ndoshta proverba nuk është ekzaktësisht kështu, por për Interin funksionon. Mbi të gjitha për Stiven Zhangun funksionon. 20 ashtu si titujt kampionë që do të ketë Interi në fundin e këtij sezoni, po 20 si data në fund të majit kur skadon financimi i “Oaktree”. Por gjithçka të bën të besosh se Zhang do të jetë në krye të Interit edhe në datën 21, edhe përtej ditës finale. Asgjë nuk është e definuar në detaje, por situata është përmbysur në javët e fundit.

Do të shkohet drejt rinovimit të huazimit, me kohë më të shkurtër. Kjo është rruga që do të ndjekë Zhang, i cili kërkon të qëndrojë në krye të klubit pa lejuar që fondi amerikan të ekzekutojë marrjen e aksioneve. Por paralelisht nuk i mbyll dyert në kërkimin e aksionerëve dhe blerësve të tjerë për të ardhmen e Interit.

RINOVIMET- Sot për sot, Stiven Zhang është një president në mungesë për motive personale, që nëse nuk do të ketë surpriza do ta shohë nga larg festën e titullit kampion. Por edhe pse nuk është prezent, Zhang është shumë prezent në të gjitha aspektet. Diskutimet me drejtuesit e skuadrës i ka të përditshme, por edhe me Inzagin po ashtu. Askush në shtëpinë e Interit nuk pret ndryshime rrënjësore për të ardhmen. Për të thënë: është e gjallë pista për të luajtur një turne në Kinë në verë dhe ky është një sinjal që nuk përkon me lamtumirë të mundshme të Zhangut. Drejtuesit e klubit e kanë të qartë rrugën dhe strategjinë që duhet të ndjekin në merkato për sezonin e ardhshëm. Dy janë objektivat: Barazimi i bilancit dalës me atë hyrës që do të thotë se duhet të ketë ekuilibër mes blerjeve dhe shitjeve. Mirëpo një tjetër këshillë e Zhangut është që fondi i rrogave nuk duhet të preket për keq, madje mund të rritet duke parë që shumë lojtarë kanë ardhur me parametra zero dhe kanë ulur ndjeshëm kostot. Dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme për të zgjeruar skuadrën duke parë që sezoni do të jetë i gjatë dhe me shumë impenjime. Presidenti ka dhënë gjithashtu edhe lejen për rinovimin e kontratave të Lautaro Martinezit dhe Nikolo Barelës. Për të parin ka një takim në axhendë shumë shpejt, por edhe gjatë këtyre ditëve ka pasur biseda telefonike për ta mbyllur këtë çështje. Pas titullit të 20-të është normale të mendosh edhe për titullin numër 21.

BISEDIMET- Zhang dhe “Oaktree” janë duke diskutuar. Borxhi që Interi duhet të shlyejë është 375 milionë euro dhe palët po shohin të vendosin baza më të shëndosha sesa ato në vitin 2021. Interesi i borxhit do të jetë sërish 12%, por koha nuk do të shkojë deri në vitin 2027, por do të skadojë për një ose 2 sezone. Gjatë kësaj kohe Interi është duke u përpjekur që të rregullojë bilancet dhe ta mbyllë me 40-50 milionë minus, por shumë herë më mirë në krahasim me 245 milionë humbje në sezonin 2021. Duhet theksuar se në këshillin e Interit do të ulen Karasai dhe Marketi, që janë shumë afër fondit amerikan. Sigurisht që gjatë kësaj kohe do të kuptohet edhe plani që ka Interi për stadiumin, nëse do të vazhdojë në San Siro apo do të ndërtojë një tjetër stadium të ri. Stadiumi i ri do të ndikonte në rritjen e vlerës së klubit të Zhangut, i cili e vlerëson 1.2 miliardë euro. Por kësaj vlere nuk i është afruar askush që ka pasur në plan të blejë Interin. Kjo është situata për momentin dhe pritet të ketë zhvillime në ditët e ardhshme.