Kukësi-Vllaznia pati një prani të kënaqshme në shkallët e stadiumit, ku rreth 2 mijë të pranishëm mbështetën ekipin verilindor, ndërsa edhe shkodranët u përkrahën nga tifogrupi i tyre, “Vllaznit Ultras”, që ishin prezentë në stadium, edhe pse në një numër të vogël. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së djeshme.
* Dy presidentët, Safet Gjici dhe Alban Xhaferri, e panë ndeshjen në shoqërinë e njëri-tjetrit në tribunën qendrore.
* Hallaçi shkon në pankinën shkodrane dhe përqafon kolegun e tij të Vllaznisë para startit të sfidës.
* Nigerianit Momoh më në fund i personalizohet fanella, teksa krah numrit 90-të, kishte të stampuar edhe mbiemrin e tij.
* Në minutën e 22-të mbrojtësi i Kukësit, Edison Ndreca, nuk është komod me këpucët e tij. Del jashtë vijave kufizuese dhe vesh një palë të tjera.
* Në minutën e 40-të ka probleme midis tifozëve të Vllaznisë dhe policisë, me këta të fundit që ndërhyjnë për të shuar gjakrat. Një moment që u zgjidh shumë shpejt.
* Në stadium nuk mungoi as një çift të moshuarish, të cilët rrallë i gjen nëpër stadiumet shqiptare për të parë ndeshjen. Por ja, leksioni na vjen nga Kukësi.