Zhgënjim total nga kombëtarja shqiptare. Mbrëmjen e së shtunës ajo është mundur me rezultatin 3-0 në Elbasan nga Izraeli. Ky i fundit pasi bëri lëmsh gjithë Shqipërinë me masat anti-terrorizëm, duke detyruar Federatën tonë të ndryshonte edhe stadiumin ku do të luhej ndeshje, pasi largoi tifozët edhe nga “Elbasan Arena”, gjeti ndihmën edhe të një gjyqtari gjermano – turk, për të na dhënë një nga humbjet e vetme të kuqezinjve tanë në këto shifra gjatë këtyre viteve të fundit. Ndeshja nuk ka nisur mirë.

Që në minutën e 17-të, kemi një gabim të Xhimshitit që gabon në markimin e lojtarit më të rrezikshëm izraelit- Zahevit dhe gjyqtari Ajtekin jo vetëm që tregon pikën e bardhë të 11-metërshit por jep edhe karton të kuq për mbrojtësin tonë, vendim që mund të ishte shmangur dhe justifikuar vetëm me të verdhën por ky arbitër dukej se kishte ardhur për t’u bërë protagonist i kësaj ndeshje. Nga pika e bardhë, Zahevi ka shënuar dhe kjo prish balancën në fushë. Shqipëria mund të mbahet, krijon presion por shpeshherë harron edhe prapavijën por në pjesën e parë nuk do kishte gol tjetër. Në të dytën, kuqezinjtë sërish e fillojnë mirë por në minutën e 10-të të saj, kemi një tjetër gabim nga tanët. Portieri Berisha në mënyrë të pakuptimtë ka diçka për të sqaruar me një nga lojtarët kundërshtarët dhe gjyqtarët e takimit ndalin lojën duke akorduar karton të kuq edhe për portierin tonë dhe njëkohësisht një tjetër 11-metërsh. Berisha i lë vendin portierit Alban Hoxha që pret këtë gjuajtje dhe duket se Shqipëria futet sërish në lojë por gënjehemi kot. Në minutën e 66-të, Hoxha nuk grushton si duhet një top dhe ai përfundon për të dytën herë në rrjetë. Izraelitët nuk mjaftohen me kaq sepse do të shënonin më pas edhe një të tretë dhe mbase mund të kishin shënuar edhe më tepër përballë kuqezinjve tanë që çuditërisht luajnë me tre sulmues kur në fushë De Biazi duhej të hidhte mbrojtës. Përfundimisht 3-0 dhe kombëtarja jonë duket se me këtë humbje rikthehet sërish aty ku ka qenë pak vite më parë. Europiani tashmë mbetet thjesht ëndërra e një nate vere. Shqipëria është rikthyer në normalitetin e saj të zakonshëm.

www.shkodrasport.com