Vllaznia zhgënjen në Shkodër duke u mundur 3-2 nga Luftëtari. Një lojë shumë e dobët e kuqebluve të cilët dorëzohen edhe në “Loro Boriçi”.Ndeshja në fakt ka nisur më mirë për gjirokastritët që madje kanë shënuar shumë shpejt, që në minutën e 5-të. Liçaj godet me kokë një top të ardhur nga e djathta dhe mbrojtësi Cicmil në përpjekje për të larguar topin, e dërgon atë në rrjetën e portës së tij. Në “Loro Boriçi” ka heshtje megjithatë nuk do kalonin më shumë se 7 minuta dhe kapiteni Shtubina barazon gjithçka.

Një kros i Çinarit është shfrytëzuar mirë prej tij duke e goditur saktë topin me kokë dhe duke shënuar. Vllaznia merr zemër dhe tre minuta më vonë është Cicmil shumë pranë golit të dytë. Kur pritek goli i avantazhit për vendasit, ndodh e kundërta. Në minutën e 24-të, Liçaj kroson në zonë dhe aty Rexhinaldo me kokë e dërgon topin në rrjetë. Kuqeblutë sërish gjejnë forca për të reaguar. Tre minuta më vonë, Marku fare pranë portës me kokë shënon golin e barazimit. Katër gola të shënuar shumë shpejt dhe ato të japin përshtypjen se do kishte edhe të tjerë sepse të dy skuadrat luajnë shumë hapur. Në fundin e pjesës së parë, dëmtohet Kalaja që detyrohet të lërë fushën e lojës dhe në vend të tij është kroati Vaitzer. Pjesa e parë nuk do kishte zhvillime të tjera dhe mbyllet në barazim 2-2. Fillimi i pjesës së dytë ka një zëvendësim të detyruar edhe për miqtë sepse Ramadani nuk mundet të vazhdojë dot më. Në të 55-tën Cicmil ka një rast të mirë por gjuajtja e tij me kokë përfundon në duart e portierit Ruçi. Presioni i vendasve rritet dhe në të 62-tën, pas një skeme të bukur në një goditje dënimi, Vrapi gjuan me kokë dhe portieri mik e zotëron atë mbi vijën fatale, madje shkodranët pretendojnë për gol por nuk është i këtij mendimi anësori. Luftëtari nuk heq dorë nga pretendimet për a fituar këtë ndeshje. Në minutën e 71-të Bregu godet dy herë shtyllat por nuk ka gol. Megjithatë atë do ta realizonte Rexhinaldo tre minuta më vonë dhe sërish pas një goditje me kokë. Cungu i pakënaqur hedh ne fushë edhe Vecajn e Dibrën duke kërkuar të paktën barazimin. Por loja e zhvilluar nuk jepte premisat për një gjë të tillë. Përfundimisht 3-2 për Luftëtarin që merr një trepikësh me shumë vlerë në Shkodër ndërkohë që kjo ishte një humbje që do t’i djegë shumë Vllaznisë për ecurinë e mëtejshme në kampionat.

© shkodrasport.com